E Diel, 1 Nëntor 2026

LIDHJA ME TOMEIN, njeriu që luftoi Trebickën, rezulton kontraktori kryesor i “MEICO”-s

Gjenden gjurmët e Henri Tomeit në kontratat e shitjes së armëve me Gjeorgjinë. Trafikanti zviceran figuron në pjesën dërrmuese të kontratave që prej vitit 2003

Tiranë - Henri Tomei, pronari i firmës “Evdin ltd” (ndërhyrja e së cilës nxori kosta Trebickën nga loja) ka lënë gjurmë në disa kontrata shtetërore të kompanisë “MEICO” ndërsa kjo e fundit ka shittur dhe ka blerë armatime me shtete nga më të ndryshmet. Rasti më tipik është ai me firmën gjeorgjiane “MELVALE” ku numri i kontaktit të kësaj firme gjeorgjiane korrespondon plotësisht me numrin zyrtar të kompanisë “Southern Ammunittion”. Ndonëse ky numër përputhet me kompaninë amerikane që operonte në Gërdec, prokurorët mendojnë se në të vërtetë ai është numri i Henri Tomeit, biznesmenit zviceran të armatimeve. Tomei gjithashtu ka lënë gjurmët e tij dhe në kontratën e famshme të armëve që “MEICO” i shiti Armenisë pr që u bllokuan në ujërat territoriale turke në vitin 2007. Në kontratën me firmën Gjeorgjiane “MELVALE” një prej oficerëve të policisë gjyqësore ka bërë dhe shënimin përkatës që lidh numrin telefonik mes dy firmave.
Gjeorgjia
Kompjuteri personal i Ylli Pinarit ka zbardhur dhe kontratat e shumë përfolura të armatimeve mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Në vitin 2008 Rusia e akuzoi publikisht Shqipërinë si një ndër vendet që i kishte shitur armë Gjeorgjisë, ndërsa menjëherë kryeministri Berisha mohoi po publikisht. Megjithatë sot rezulton se kontrata ka pasur, madje në njërën prej tyre, atë më të madhen me vlerë 3 milionë euro janë gjendur dhe gjurmët e trafikantit Henri Tomei, pronarit të firmës “Evdin ltd”. "Shqipëria renditet ndër vendet që ka furnizuar me armë Gjeorgjinë". Deklarata është bërë publike në shtator të vitit 2008 nga shefi i shtabit të ushtrisë ruse, Anatoli Nogovitsyne, gjatë një konference për shtyp. Moska zyrtare ka akuzuar një grup vendesh ballkanike dhe të Evropës Perëndimore që kanë furnizuar me armë Tbilisin. Përpos Shqipërisë, akuzat kanë qenë të njëjta edhe për Maqedoninë, Bullgarinë, Ukrainën, Serbinë, Hungarinë dhe Rumaninë. Asokohe Kryeministri Berisha mohon akuzat e ngritura nga një gjeneral rus, sipas të cilit Shqipëria u ka shitur armë Gjeorgjisë. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Islandës Geir Haarde Berisha deklaroi se “Të mendosh se Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta dhe ushtrinë e vet”. Kryeministri Berisha tha se nuk ishte i habitur me sulmin rus dhe se këto sulme kanë një qëllim konstant ndaj shqiptarëve ( duke nënkuptuar dhe çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës).
Tregtia
"Roli i Shqipërisë në tregtinë e armëve, dhe jo vetëm nëpërmjet rrugëve ligjore, doli në shesh të zbuluar pas tragjedisë së Gërdecit (shpërthimit të një depozite municionesh në afërsi të Tiranës) dhe drejtuesi i MEICO (Military Export-Import Company) u arrestua nga autoritetet shqiptare", është cituar në mediat italiane, ruse dhe ballkanike, në shtator të vitit 2008 kur gjenerali rus bëri akuzën. Duke iu referuar mediave të huaja, në fillim të këtij viti të dhënat zyrtare të drejtimit gjeneral të armëve shënonin një rënie në drejtim të Kaukazit dhe Afrikës. Në gjashtë muajt e fundit të vitit 2007, eksportimet zyrtare bënin fjalë për rreth 3 milionë dollarë. Bëhet fjalë në këtë rast për armë të llojit Kallashnikov, të prodhuara pa licencë deri në kohët e regjimit komunist. Gjenerali Rus Nogovitsyne akuzoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizim me armë në drejtim të Gjeorgjisë, çka do të detyrojë Rusinë të rishikojë numrin e paqeruajtësve që do të qëndrojnë në zonën e sigurisë brenda territorit të Gjeorgjisë në Osetinë e Jugut. Konflikti i armatosur mes Gjeorgjisë dhe Rusisë nisi më 6 gusht, pasi ushtarët gjeorgjianë qëlluan pozicionet e separatistëve në Osetinë e Jugut, pak orë pasi kishin arritur një marrëveshje. E shpejtë ishte edhe përgjigjja e Moskës, që nisi në këtë zonë ushtarë dhe tanke.

MEICO, një histori trafiku dhe misteri

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton vlerësonte vite më parë se mosndërhyrja e OKB-së në luftën civile në Ruanda ishte keqardhja më e madhe e administratës së tij. 800 mijë vetë u vranë brenda 100 ditëve, duke nisur që nga 6 prilli i vitit 1994 deri në mesin e muajit korrik. E ndërsa gjenocidi i milicisë Hutu mbi fiset Tutsi rëndon në ndërgjegjen e gjithë botës, disa raporte të institucioneve ndërkombëtare hedhin dritë mbi trafikun e armëve nga disa vende të Europës drejt Afrikës Qendrore. "Albania", "Meico", "ammunition" "Mil-Tec" janë disa nocione që të shkëputura nuk të thonë asgjë, por nëse bashkohen nxjerrin në pah një të vërtetë tronditëse: Qeveria shqiptare ka realizuar në mesin e viteve '90 trafikun e armëve drejt Ruandës nëpërmjet kompanive të huaja, duke përfituar miliona dollarë dhe duke thyer të gjitha ligjet ndërkombëtare që i nënshtroheshin embargos që OKB-ja kishte vendosur në ato vite. Nuk është hera e parë që qeveria Berisha shet armë në vendet që janë në konflikt. Në mesin e viteve '90, Berisha shkeli embargon e OKB-së dhe trafikoi armë në mënyrë të paligjshme në Zaire dhe në Kongo. Ndërkohë që disa muaj më parë autoritetet turke i kanë thënë jo kalimit nga territori i tyre i një sasie të konsiderueshme armatimi dhe municioni të ushtrisë shqiptare me destinacion Armeninë. Ato e kanë detyruar anijen shqiptare që të kthehet andej nga ishte nisur me gjithë ngarkesë. Anija kishte udhëtuar nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Stambollit e ngarkuar me 60 kontejnerë të mbushur me armatim artilerie dhe me municionet përkatëse me synim transitimin e tyre në shtetin armen. Ditë më parë një përfaqësues ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes Armene kishte kontaktuar me përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare dhe kishte bërë porosinë për blerjen e një sasie të konsiderueshme grykash zjarri të artilerisë tokësore dhe asaj kundërajrore të kalibrave të ndryshëm duke filluar nga topat 75 mm e deri te topat obus me kalibër 122 mm të shoqëruara me kompletet e tyre të municioneve. Për të realizuar shitjen e kësaj sasie armatimi Ministria jonë e mbrojtjes caktoi firmën "MEICO" me eksperiencë në këtë sferë biznesi pasi njihet për shitjen e armatimeve që në kohën kur dikasterin e Mbrojtjes e drejtonte Safet Zhulali. Armenia është në një konflikt të hapur me fqinjin e vet Azerbajxhanin dhe ky konflikt mund të marrë përmasat e mesit të viteve '90 ku mijëra vetë vdiqën në luftime. Siç dihet në Azerbajxhan jeton një shumicë e konsiderueshme e popullsisë turke dhe shteti turk ka qenë historikisht sensibël ndaj këtij konflikti.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›