Irakianet dashurohen me ‘këpucë-hedhësin’ e Bushit
Muntadhar al-Zaid, gazetari që goditi me këpucë ish-presidentin amerikan, Xhorxh Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad në muajin dhjetor është kthyer në një idhull për gratë irakiane. Dënimi që vendosi gjykata për të, me tre vjet heqje lirie, ka zemëruar fanset e tij të shumta. “Çdo irakian dëshiron ta rrahë Bushin”, ka rrëfyer për gazetën prestigjioze amerikane, “New York Times” njëra prej vajzave që adhuron gazetarin këpucë-hedhës. “Muntadhar ka realizuar dëshirat tona, na ka bërë krenare të jemi irakiane”, tha ajo. Ndërkohë një shtëpiake 31-vjeçare e quajtur Um Baneen tha se: “Zaid i ka thyer grave irakiane dinjitetin që i ishte vjedhur prej kohësh. Dhe veç kësaj, ishte Bushi dhe jo gazetari që meritonte 3 vite dënim me burg”, tha ajo. Ndërsa një 19-vjeçare, studente mjekësie, Atiyaf Mahmoud, ka rrëfyer për NYT se “E dashuroj Zaidin, e kam parë në ëndërr dy herë dhe hera e fundit ishte gjatë procesit të tij gjyqësor kur ai lirohej nga akuzat dhe unë shkoja t’i shtrëngoja dorën për ta përgëzuar. Isha kaq e emocionuar nga ajo ëndërr e ëmbël, sa po më pëlqente të ëndërroja akoma”. E vetmja që ka folur ndryshe nga të gjitha gratë e intervistuara nga gazetari i NYT ka qenë një shtëpiake 29-vjeçare, Zahra Fadhil, sipas së cilës gazetari nuk është një simbol dhe ka abuzuar me demokracinë. “Tre vitet me heqje lirie janë një mësim për të gjithë irakianët që duan të bëjnë sjellje të turpshme, duke i justifikuar me demokracinë”, tha ajo për NYT.