Oferta për babain monstër: Pa apel ose në burg me kanibalin
Demoni Josef Fritzl, i cili ka mbajtur në qilar të bijën të izoluar nga bota për 24 vite, duke i dhënë shtatë fëmijë, ka marrë një ofertë nga prokurorët e çështjes për ta kaluar dënimin në një burg luksi nëse nuk konteston dënimin e tij.73-vjeçari Fritzl do të gjykohet të hënën për përdhunimin e vazhdueshëm të së bijës dhe burgosjen e saj për 24 vite pa parë diell. Prokurorët janë shprehur se nëse ai nuk e apelon vendimin, cilido qoftë ai, mund të ketë një qeli vetëm në një burg luksi. Burgu në fjalë ofron meditim, tenis, futboll dhe hedhje shigjete, madje edhe artin e gjimnastikës. Aktivitetet përfshijnë këngën dhe leksione gatimi. Ndërsa gazetat në Austri, ku ka ndodhur ngjarja kanë publikuar ofertën e prokurorëve, në opinionin publik ka shpërthyer një ‘revoltë” për trajtimin që po i ofrohet. Opinionet janë publikuar edhe në një gazetë, “Austrian Times” ku shkruhet se “Kjo ofertë është një fyerje për vajzën e tij, Elisabeth, e cila ka vuajtur në një qilar pa dritare, në një bodrum minjsh, ku ajo nuk kishte mundësinë të hante vakte normale apo të bënte gjimnastikë për 24 vjet”. Nëse Fritzl e refuzon marrëveshjen, edhe pse është i tmerruar nga frika se mund ta sulmojnë kudo për historinë e tij, ai mund të dërgohet në burgun e sigurisë së lartë austriak, azilin mendor “Goellersdorf”. Të burgosurit përfshijnë vrasësin kanibal Robert Ackermann, i cili ka kërcënuar se do ta hajë Fritzl sapo ai të mbërrijë. Babai monstër e ka mbajtur vajzën e tij Elisabeth të kyçur në një burg bodrum nën shtëpinë e tij në Amstetten. Ajo kishte me të atin shtatë fëmijë, ku njëri prej tyre vdiq pas lindjes. Fritzl shpreson se nuk do të burgoset për më shuam se 10 vjet, dënimi maksimal për përdhunim në Austri. Por veç kësaj babai monstër përballet me akuza për vrasje, incest, përdhunim, burgim fals, skllavëri dhe abuzim, dhe ende ka shpresa se ai nuk do të vdesë në burg.
Pjesa satirike
Në Vjenë është hapur një pjesë satirike mbi Josef Fritzl nën masa të rrepta sigurie pas kërcënimeve për vdekje. Pjesa do të inaugurohet të hënën, që përkon me ditën e marrjes së dënimit të monstrës dhe artistët do të ruhen nga policia me masa të rrepta sigurie pasi regjisori ka marrë kërcënime me vdekje. Pjesa satirike është quajtur fillimisht “Pensioni Frizl: një opera Qilari”, por realizuesit e saj janë detyruar ta quajnë “Pension F: satira e fundit mediatike” pas protestave në të gjithë vendin që kulmuan me akte vandaliste kundër teatrit dhe artistëve. Hubert Hubsi Kramar është një aktor i debatueshëm dhe regjisor i njohur për performancat e tij në elitaren “Vienna Ball”, ku nëntë vite më parë u arrestua pasi doli në rrugë i veshur si Adolf Hitler. Ai ka shkruar pjesën dhe interpreton vetë rolin kryesor në këtë satirë.