Makelele: Cana, kapiten i lindur, këtu e duan shumë
Jetmir Halilaj
Klod Makelele, një nga mesfushorët shkatërrues më të mirë në Evropë gjatë dekadës së fundit i ka thurur elozhe kapitenit të Marsejës, Lorik Cana. Ish-futbollisti i Realit dhe i Çelsit, e ka cilësuar mesfushorin shqiptar si një lider të lindur. “Cana është një futbollist me karakteristika të veçanta. Një lojtar i kompletuar dhe shembulli i profesionalizmit. Është me meritë kapiteni i Marsejës dhe padyshim që e respektoj shumë si lojtar. Është lider, një lojtar me mentalitet fituesi, që nuk dorëzohet asnjëherë”, ka thënë Makelele për “InfoPsg.fr”. Ndërkaq, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka rrëfyer për mediat franceze se ishte shumë i bindur se nëse do të kishte qëndruar te Paris SG, do të ishte bërë kapiten i kësaj skuadre. “Mund t’ju duket e çuditshme, por kam bindjen se po të kisha qëndruar te Paris SG, sot do të isha kapiten edhe atje”, ka deklaruar Cana. Ndërkaq, Makelele nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Ai është i habitur, për popullaritetin që gëzon Cana në radhët e tifozëve të skuadrës pariziene. “Lorik Cana gëzon një popullaritet dhe simpati te shumë tifozë të Paris SG. Një ditë, do të doja që edhe unë të arrija në këto nivele, pra tifozët të më duan kaq shumë edhe pasi të largohem nga skuadra”, ka thënë Makelele. Cana u largua nga Paris SG drejt Marsejës para katër vitesh. Aktualisht është kapiten i skuadrës marsejeze. Klod Makelele u transferua këtë sezon te skuadra pariziene dhe aktualisht është kapiten i saj. Këto dy skuadra do të ndeshen sot në orën 21.00 në stadiumin “Parc Des Princes”.
E ardhmja
Kjo e sotmja mund të jetë ndeshja e fundit që Lorik Cana luan me fanellën e Marsejës kundër ish-ekipit të tij, Paris SG. Mesfushori shqiptar ka përsëritur edhe njëherë dje në mediat franceze se dëshiron të transferohet në një skuadër gjermane ose angleze. “Nuk është e thënë që ta mbyll karrierën te Marseja. Në korrik të këtij viti mbush 26 vjeç dhe mendoj se ka ardhur momenti që edhe unë të provoj shanset e mia në një klub të madh në Angli ose në Gjermani. Megjithatë, nëse iku nga Marseja këta do ta bëj për të shkuar në një klub jashtë Francës”, është shprehur lojtari.