Irakianët votojnë të dielën për Parlamentin

Kënga po dëgjohet rregullisht në radiot e Irakut, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Lirika lartëson virtytin e votimit, pa marrë parasysh rrezikun. “Unë do të votoj dhe do ta sfidoj terrorizmin”, thotë teksti i këngës. “Do të votoj për hir të njerëzve të mi të dashur.” Këngëtari Muntazer Hanun al Nasiri thotë se kandidatët për zgjedhjet parlamentare të 7 marsit, i kanë ofruar vazhdimisht para, që t’i përmendë në këngën e tij - oferta që i ka refuzuar. Por, ai është vetëm një prej këngëtarëve dhe jo të gjithë janë të pavarur në gjykim. “Ata paguajnë shuma të mëdha parash vetëm për të përmendur numrin e kandidatëve në këngë”, thotë Al Nasiri.
Këngët, kolonat muzikore në radio, reklamat televizive, posterët në qytet dhe në rrugë, janë shenjat e fushatës që hasen kudo. Votimi shihet si moment historik, pasi që nga viti 2005 është hera e parë për Irakun që voton për Parlamentin, që kur sunitët bojkotuan votimet. Dhe, bojkoti solli për vite dhunë sektariane.
Këto votime janë një provë për stabilitetin politik, pikërisht disa muaj para se Uashingtoni planifikon reduktimin e trupave nga 100 mijë në 50 mijë, në fund të gushtit.
Këtë herë, sunitët duket se do të votojnë, pavarësisht ndalimit të rreth 150 kandidatëve të tyre laikë, që dyshohet se kanë lidhje të jashtëligjshme me regjimin e Sadam Hyseinit.
Kandidati sunit, Munaf Al Nada, thotë:
“Përfundimisht, pjesëmarrja do të jetë e lartë, pasi populli beson në proceset politike dhe ata e kuptojnë se vota e tyre është e çmuar dhe se duhet të votojnë”.
Këtë të diel, 19 milionë irakianë janë regjistruar për të votuar për zgjedhjen e 352 deputetëve. Numri total i kandidatëve është 6 mijë, të grupuar në koalicione kombëtare, ose rajonale, ose që kandidojnë si individë.
Konkurrenti kryesor është kryeministri Nuri Al Maliki, që dominoi në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar me platformën e tij josektariane.
Një tjetër konkurrent është ish- kryeministri Ajad Allaui, i cili po ashtu ka një platformë josektariane.
Ndërsa, një e katërta e Parlamentit, sipas Kushtetutës, duhet të përbëhet nga gratë. Kandidatet gra janë në listat e partive më të mëdha.
Salama Al Kafaji, që kandidon për koalicionin fetar kombëtar të partive shiite, thotë: “Vizioni është ende mashkullor dhe partitë ende emërojnë burra më shumë sesa gra në pozita të ndryshme partiake dhe ministrore”, thotë kandidatja Al Kafaji.
Të larguarit nga Iraku, për shkak të dhunës fetare gjatë viteve të fundit, do të votojnë për tre ditë, duke filluar që nga dje.
Brenda Irakut, pjesëmarrja në votime, ditën e diel, varet kryesisht nga situata e sigurisë në qendrat e votimit. Përpara votimit, rebelët kanë nisur t’i frikësojnë votuesit për t’i mbajtur larg nga kutia e votimit.