E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iraku dhe Kuvajti drejt njohjes së Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku ka marre pjesë në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, ka zhvilluar një takim me zëvendëspresidentin e Irakut, Tarik al-Hashim, me të cilin ka biseduar për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Iraku dhe për ndërtimin e bashkëpunimit miqësor dhe me interes të të dyja vendeve.
 

Në takim, sipas një komunikate për shtyp, thuhet se nënpresidenti irakian Tariq al-Hashim i ka premtuar kryeministrit Thaçi që Iraku “në një të ardhme sa më të afërt” do të shqyrtojë “njohjen e Kosovës së pavarur”, e cila do të hape rrugë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes të dy vendeve. Në takim është biseduar edhe për mundësitë e shumta të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.
 

Ndërkaq, Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Mohamed Al-Sabah Al-Salem Al-Sabah, me të cilin ka biseduar për ndërtimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Në takim është biseduar edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit dhe për ndërtimin e bashkëpunimit të shum anshëm në mes të dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj.
 

Kryeministri Thaçi ka marrë premtime nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme të Kuvajtit që ky shtet “shumë shpejtë do ta shqyrtojë seriozisht njohjen e pavarësisë së Kosovës”, si dhe modalitetet më të mira për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›