Iran: Mir Hosein Musavi deklaron se do t'i rezistojë presionit

Kandidati i mundur në zgjedhjet presidenciale të Iranit Mir Hosein Musavi deklaroi se do t'i rezistojë presionit që po i bëhet për të hequr dorë nga kundërshtimi i rezultatit të zgjedhjeve.
Në një deklaratë në faqen e internetit të gazetës së tij, Zoti Musavi tha se nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e të drejtave të popullit iranian. Ai tha se po i bëhen presione për të hequr dorë nga kundërshtimi i rezultatit të zgjedhjeve por u bëri thirrje mbështetësve të vazhdojnë protestat me mënyra që nuk krijojnë tensione.
Udhëheqësi i opozitës, i cili nuk është parë në publik prej thuajse një jave, tha gjithashtu se mundësitë e tij për të kontaktuar përkrahësit janë kufizuar plotësisht.
Zoti Musavi, i cili humbi ndaj Presidentit aktual Mahmud Ahmadinexhad në zgjedhjet e 12 qershorit, ka thënë se votimet u karakterizuan nga manipulime masive. Por udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe Këshilli i fuqishëm i Mbikqyrësve, thanë se rezultatet nuk do të anulohen.
Për afro një javë pas zgjedhjeve, përkrahësit e zotit Musavi zhvilluan demonstrata të mëdha në Teheran dhe në qytete të tjera. Këto ishin protestat më të mëdha në vend që nga revolucioni islamik i vitit 1979. Disa nga tubimet u shndërruan në përleshje me forcat e rendit.
Por demonstratat pro-Musavit janë rralluar ditët e fundit në klimën e masave shtypëse të qeverisë. Autoritetet po mbajnë një prani të madhe policore nëpër rrugë për të shpërndarë turmat sidomos pas ditës së shtunë kur të paktën 10 veta humbën jetën për shkak të dhunës.
Dje, nuk pati njoftime për grumbullime proteste. Por dëshmitarë okularë i thanë Zërit të Amerikës se një turmë më e madhe se zakonisht me rreth 13 mijë vetë u mblodh në varrezat kryesore të Teheranit, në vazhdën e ceremonive funebre për viktimat e dhunës.
Banorët në kryeqytet thonë se në ditë të zakonshme rreth 9 mijë vetë vizitojnë varrezat Behesht-e-Zahra, ku ndodhen varret e shumë prej viktimave të luftës Iran-Irak.