Vdes ylli i muzikës pop Majkëll Xhekson

Vdiq ylli i muzikës pop Majkëll Xhekson pas një pushimi të zemrës. Zyrtarët e zjarrfiksave në Los Anxhelos që shkuan në shtëpinë e tij thanë se ai u dërgua me ngut në Qendrën Mjeksore të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos pasi nuk po merrte frymë.
Këngëtarit 50-vjeçar iu bë menjëherë frymëmarrje artificiale para se të dërgohej në qendrën mjeksore. Më pas u njoftua se Xhekson ishte në gjendje kome kur arriti në spital.
Gazeta Los Angeles Times citon zyrtarë të bashkisë dhe të policisë të cilët thanë se Majkëll Xhekson ka vdekur.
Këngëtari, kërcimtari dhe kantautori i famshëm fitoi emër që kur ishte fëmijë në vitet 70 kur intepretonte me vëllezerit e tij në një grup të quajtur The Jackson Five (Pesë Vëllezërit Xhekson). Më pas ai e vazhdoi karrierën i vetëm gjatë së cilës krijoi dhjetra hite dhe ishte ndër themeluesit e zhanrit të videos muzikore.
Në vitet e mëvonshme Majkël Xheksonit nuk iu ndanë problemet. Në vitin 2005, ai doli i pafajshëm pas akuzave për ngacmim seksual të të miturve dhe më pas u zhyt në vështirësi financiare. Xhekson kishte në plan të fillonte një seri koncertesh këtë vit në Londër të cilat do të shënonin rikthimin e tij në skenë. Biletat e shfaqjeve u shitën brenda pak minutash në muajin mars. //ii