E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sportal.de: “Futbolli geto” i Kosovës

Faqja sportive gjermane i ka kushtuar një speciale gjendjes së futbollit kosovar. Saliu, sekretari i Federatës: “Ndihemi të diskriminuar, sikur jemi në një geto”

Dash Frashëri

Sportal.de, një nga faqet më të mëdha sportive në Gjermani, i ka kushtuar një speciale të gjatë gjendjes së futbollit në Kosovë, madje duke vendosur një kryetitull shumë të trishtueshëm: “Fußball-Ghetto” Kosovo (Futbolli geto i Kosovës). “Dhjetë vjet kanë kaluar nga përfundimi i luftës në Kosovë. Vendi është i pavarur, por në fushën e futbollit, shteti i vogël ballkanik po qëndron ende në hije. Madje si FIFA ashtu dhe UEFA ende nuk e kanë pranuar si anëtare të saj”, - shkruhet në artikullin e të dërguarit të posaçëm të Sportal.de, Feliks Hofman.

LOJË ARGËTUESE

“Neëborn” (I porsalindur). Gërmat e stërmadha të verdha prej llamarine formojnë këtë fjalë në një prej shesheve qëndrore të kryeqytetit kosovar, Prishtina. Monumenti është shndërruar në simbolin e Pavarësisë së vendit. Nga shkurti i vitit të kaluar Kosova është një republikë e paravur dhe njëherësh edhe shteti më i ri në botë. Rreth gjysma e mbi dy milionë banorëve të vendit janë nën 25 vjeç”, - shkruan faqja gjermane. Gazetari gjerman ka ndjekur finalen e Kupës së Kosovës midis Prishtinës dhe Hysit, ku në stadium ishin të pranishëm, gjithmonë sipas tij, rreth 10 mijë shikues, të gjithë të hyrë falas. “Niveli ishte i dobët, por loja ishte argëtuese. Në fund, jofavoriti Hysi- që në kampionat u rendit në mesin e tabelës – fitoi 2-1 me Prishtinën (atëherë ende jo kampione). Nëse loja mbi tapet linte për të dëshiruar, spektakli mbizotëronte në tribuna. Mbështetësit e dy skuadrave thuajse gjatë gjithë kohës së takimit bënë shou piroteknik me fishekzjarre”, -shkruan Sportal.de, që nuk lë pa përmendur edhe faktin se në stadium ishte i pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe hedhjen e shisheve plastike kundër trajnerëve respektivë.

“UEFA KU JE TI?”

Sportal.de shkruan se tifozët e Prishtinës kishin vendosur një banderolë gjigante në një pikë të dukshme “UEFA, ëhere are you” (UEFA, ku je ti?). Pyetja më tepër është një akuzë dhe në të vërtetë është mëshirimi i një problemi të mprehtë. Edhe pse është një shtet i pavarur, Kosova nuk është ende anëtare e UEFA-s apo FIFA-s. Të dyja federatat i kanë refuzuar vendit hyrjen. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, justifikohet me statutin, sipas së cilës një vend mund të pranohet, nëse ai është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Deri tani jo të gjitha vendet e Botës e kanë njohur, vetëm 60 prej tyre. “Midis tyre dhe Gjermaninë”, - nënvizon Sportal.de. Rusia, Greqia dhe para së gjithash Serbia pengojnë njohjen e Kosovës. Pikërisht, nën këtë situatë politike delikate ndodhet futbolli kosovar. “Ne e ndjejmë veten si në një geto”, - thotë Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës Kosovare të Futbollit, i cili kërkon që federata të anëtarësohet sa më shpejt të jetë e mundur në UEFA. “Ne e konsiderojmë këtë marrëdhënie si një diskriminim. Nga viti 1946 ekipet dhe lojtarët tanë ishin pjesë e Federatës Jugosllave. Ashtu siç ishin dikur edhe Mali i Zi e Maqedonia. Ata janë tani anëtarë, ndërsa ne jo”.

SHPRESA PËR TË ARDHMEN

Nga 16 klube, sezoni i ardhshëm në Superligë do të jetë vetëm me 12-të. Gjithsesi, ende janë portat e mbyllura në Europë. “Kjo është diçka e hidhur pëer zhvillimin tonë”, - thotë Remzi Ejupi, presidenti i Prishtinës, klubit të themeluar në vitin 1992, njherësh edhe një biznmesmen, që paratë e tij i fiton edhe nga shoqëria e tij private e fluturimeve. “Këtu ka potencial të madh. Vendi ynë ndodhet në zëmër të Europës, ka shumë njerëz të rinj dhe shumë talente futbollistike”. Kush me topin di të bëjë diçka, largohet shumë shpejt nga Kosova. Gjithsesi, bosi i klubit beson megjithatë në një zhvillim pozitiv. Në modernizim e sipër janë dhe terrenet, pavarësisht se infrastruktura sportive është ekstremisht në një gjëndje të keqe. Madje edhe Prishtina, klubi më i madh dhe rekordmene e Kosovës, nuk ka një fushë të posaçme stërvitore. Ekipi i parë, por edhe skuadrat e të rinjve stërviten në stadium apo në fusha të vogla me bar sintetitik dhe të mbuluara.

KOMBËTARJA PA NDESHJE ZYRTARE

“Deri në njohjen nga FIFA apo dhe nga UEFA ekipi Kombëtar kosovar mund të zhvillojë vetëm ndeshje jozyrtare. Skuadra aktuale bazohet në futbollistë jo me shumë emër. Gjithsesi, ka disa aktorë të njohur. Para së gjithash Lorik Cana, i cili për momentin është nën kontratë te Olimpiku i Marsejës dhe së fundi ndodhet në bisedime me Hamburgun. I lindur në Prishtinë, ai luan që nga viti 2003 për ekipin Kombëtar shqiptar”, - vazhdohet më tej në shkrim. “Një tjetër është Valon Behrami, i cili është lindur në Mitrovicë, në veri të Kosovës. Në vitin 1990 familaj e tij u arratis në Zvicër, kur ai ishte vetëm pesë vjeç. Në atdheun e tij të ri ai morri qytetarinë dhe së fundi u bë dhe lojtar i ekipit kombëtar. Ai tha: “Nëse do të kishte një shtet kosovar të pavarur, unë do të luaja sot për Kosovën”. Një tjetër emër i njohur në Gjermani është Besart Berisha. Sot është në kontratë me Bërnlin (në Angli), por më parë ka luajtur me Hamburgun. Edhe ai sot është pjesë e përfaqësueses shqiptare. Të gjithë këtë do të mungojnë kur Kosova, më 24 qershor do të luajë jashtë në një miqësore me kampionen e Suedisë, Kalmar. Një numër i madh tifozësh kosovarë që jetojnë jashtë do të bëjnë tifozllëk në tribuna për përfaqësuesen e tyre, me shpresën se dikur vendi i tyre do të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian apo atij Botëror”, - përfundon shkrimi i faqes së njohur sportive gjermane, Sportal.de.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›