Zbulohet “paja” e Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës
Petrika GROSI
Dje, në laboratorin e Restaurimit dhe Arkeometrisë në kryeqytet janë bërë publike për herë të parë dy kllëfe jastëku dhe një centro, të cilat mendohet se i përkisnin pajës së motrës të Ali Pashë Tepelenës, Shanishasë. Këto objekte janë sjellë nga trashëguesit e tyre, të familjes Libohova, me qëllim për t’u parë shkalla e dëmtimit të tyre dhe një restaurim i mundshëm. Shefi i këtij laboratori, Frederik Stamati, tregon për gazetën “Albania” se “dëmtimet në centron e Shanishasë janë të rënda dhe nuk mund të riparohen, kjo për shkak të kohës, por edhe të përdorimit të objektit, ndoshta larjes së tij me ujë të nxehtë, ç’ka mund ta ketë deformuar centron e veçantë me motive floreale me fije prej ari të punuar mjeshtërisht me gjilpërë.” Nuk dihet ende me saktësi nëse këto copa janë të regjistruara dhe nëse kanë apo jo kartelat përkatëse si trashëgimi kulturore kombëtare në regjistrat përkatës, por sa i përket besueshmërisë të prurësve të tyre, sipas drejtorit Stamati është e padiskutueshme, pasi familja Libohova ka treguar edhe në të kaluarën që disponon materiale të trashëguara dhe autentike nga ajo kohë. Dy kllëfet e jastëkëve janë prej mëndafshi dhe nga pas kanë një astar bojëqielli të qepur me makinë. Sa u takon qendismave të tyre, fijet janë metalike dhe pas analizave që i ka bërë studiuesi Stamati, rezultojnë se përbëhen nga bakri dhe janë të lara në ar, ndërkohë që teminat janë prej tunxhi. Qendisja është padyshim tepër mjeshtërore dhe nuk mendohet se duhet të jetë bërë nga vetë Shanishaja, gjithsesi, vlerat e saj mbeten sërish si objekt i motrës së Ali Pashës. Motivet edhe në këtë rast janë lulet e gjethet e ndryshme të punuara me një teknikë mjaft të avancuar dhe të vështirë. Në qendër të copës pozicionohet një yll me tetë cepa. Ndërkaq, centroja paraqitet mjaft e dëmtuar. Ajo është një qendismë me gjipërë mbi material kekinë, mëndafsh i përpunuar me enzima bimore, në mënyrë që të jetë më i fortë dhe rezistues ndaj kushteve klimaterike dhe përdorimit të tij. Përveç faktit që këto tekstile janë pjesë e pajës së Shanishasë, një rëndësi të veçantë ato marrin edhe si copat tekstile më të vjetra për përdorim të përditshëm që ndoshta, shqiptarët trashëgojnë deri më sot. Lidhur me këtë, Frederik Stamati thotë: “Objektet e tekstilit që trashëgojnë muzeumet në Shqipëri më i vjetri është Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373. Më vonë kemi një ndërprerje tre shekullore për të mbërritur në disa qendisma të tjera që shfaqen, të cilat janë objekte fetare, ndonjë petraile (copa që var prifti në qafë) apo qendisma të tjera sërish me motive fetare.” Përsa u përket objekteve të përdorimit të përditshëm, sipas Stamatit ne nuk kemi të tilla, që të jenë më të vjetra se 120 vjeçare... Kështu, “paja” e Shanishasë krijon mundësinë për t’u zhytur më thellë në kohë në këtë drejtim dhe duke ecur një shekull më parë. Këto copa mund t’i shërbejnë shkencës për të parë dhe për të studiuar nivelin e shoqërisë, materialet e përdorura në atë kohë për punët e tilla artizanale me tekstilet, koston, mjeshtërinë e tyre, ndikimet, motivet etj, për të kuptuar më mirë një pjesë të historisë dhe traditës sonë para më shumë se 200 vjetësh. Shanisha qe motra e famshme e Ali Pashë Tepelenës, e cila u martua me Ali Pashë Libohovën, një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova. Kalaja e Libohovës ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet e saj dhe një mur që rrethon një sipërfaqe të gjerë. Ajo është një fortesë me përmasa të konsiderueshme, e cila u ndërtua në vitin 1796-1798 dhe ishte dhurata e dasmës për Shanishanë nga vëllai i asaj Ali Pasha.
25 Qershor 2009