E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, një video amatore shfaq manifestues të plagosur gjatë protestave

Një video amatore e postuar në internet tregon disa njerëz të plagosur me fytyrat gjithë gjak gjatë përleshjeve në mes të përkrahësve të opozitës dhe policisë në kryeqytetin iranian të Teheranit.
Gjithashtu videoja tregon një njeri të plagosur të shtrirë në tokë,i cili është i rrethuar nga turma të mëdha njerëzish.
Videoja e cila është hedhur në saitin e Twitter thotë se personi i shtrirë është nipi i kreut të opozitës iraniane Mousavi, i vrarë gjatë përleshjeve, por Reuters nuk ka qenë në gjendje të verifikojë origjinalitetin e materialit.
Një website iranian tha se dhuna ka vazhduar edhe natën e ditës së dielë, ndërkohë forcat e sigurisë qëlluan me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Policia tha se pesë njerëz vdiqën në Teheran të dielën, në shpërthimin më të keq të dhunës që nga koha e zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të qershorit që shkaktoi trazirat politike. Faqet e internetit të opozitës thanë se tetë persona u vranë në Teheran dhe në qytete të tjera të Iranit, ku dhjetra e mijëra vetë dolën në rrugë gjatë një kremtimi fetar. Agjenica e lajmeve IRNA tha se policia është duke hetuar shkaqet e vdekjes së këtyre personave.
Televizioni shtetëror hodhi poshtë raportimet e mediave të huaja se forcat e sigurimit kishin vrarë protestuesit. Televizioni shtetëror citoi se policia ka gjuajtur në ajër për të shpërndarë demonstruesit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›