Iran, sulmohet ambasada e Britanisë
Tehera – Një grup protestuesish kanë hyrë me forcë në ambasadën e Britanisë së Madhe në Iran. Një grup prej 20 studentësh kanë hyrë në ambasadë dhe kanë hequr flamurin e Britanisë. Më pas ata e kanë djegur atë duke e zëvendësuar me flamurin e Iranit.
Pamjet e sulmit të ambasadës në Teheran janë shfaqur në televizionin shtetëror ku shfaqen disa studentë militantë duke hedhur gurë në drejtim të saj.

Studentët janë dëgjuar të thërrasin largimin e ambasadës nga vendi i tyre dhe vdekjen e Anglisë.
Të dielën parlamenti i Iranit votoi me shumicë degradimin e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë pas masave të Thesarit të këtij vendi për sanksione ndaj bankave iraniane.
Kjo gjë u bë në kuadër të pengimit të Iranit në përpjekjet për krijimin e armëve nukleare.
Një situatë e tillë ka ndodhur edhe me ambasadën amerikane në vitin 1979.