Irani: Pasurimi i uraniumit “nuk është hap drejt bombës”

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, tha se pasurimi i uraniumit në 20 për qind është “e drejtë” e Republikës Islamike dhe “jo një hap drejt armës bërthamore”.
Duke folur për rrjetin televiziv France 24, Ahmadinexhad tha se fuqitë botërore dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore duhet t`i sigurojnë Iranit uranium të pasuruar në 20 për qind, porse, deri më tani, “nuk e kanë bërë një gjë të tillë”.
Ai la të kuptohet se Irani mund të ndalojë pasurimin e uraniumit, nëse “fuqitë botërore ofrojnë koncesione të konsiderueshme”.
Megjithatë, Ahmadinexhad tha se nuk pret “mrekulli” nga bisedimet e muajit të ardhshëm në Moskë me grupin e gjashtë fuqive botërore, në lidhje me programin iranian bërthamor.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar gjashtë rezoluta që i kërkojnë Republikës Islamike të pezullojë pasurimin e uraniumit.
Ai po ashtu ka ndërmarrë një sërë sanksionesh kundër Iranit, për shkak të kësaj çështjeje.
Teherani zyrtar thotë se aktiviteti i tij bërthamor ka qëllime ekskluzivisht paqësore.