E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani, Rusia dhe Katari marrëveshje për gazin natyror

Doha (start)- Tre vende si Irani, Rusia dhe Katari do të zhvillojnë të mërkurën në Doha, bisedime për bashkëpunimin në fushën e gazit natyror, deklaroi sot një zyrtar iranian i sektorit të prodhimit të gazit natyror. Këto tre vende, të cilat kanë rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë, ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e prodhimit të gazit, gjatë një takimi zhvilluar muajin e kaluar në Teheran.

Pas takimit, Irani deklaroi se ishte rënë dakord për themelimin e një grupi të vendeve prodhuese të gazit, që do të kishte të njëjtin rol si OPEC-u në prodhimin e naftës, gjë që nxiti kritikat e BE-së, e cila kundërshton themelimin e një grupi që do të vepronte si një kartel.

Rusia iu referua grupit si "trojka e madhe e gazit", që duhet të shndërrohet në një organ të përhershëm, i cili do të zhvillojë takime periodike.

"Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Iranit, Katarit dhe Rusisë për zgjerimin e bashkëpunimit mes trepalëshe do të nisë të mërkurën, më 12 nëntor, në Doha", deklarohej në faqen e internetit të Kompanisë Kombëtare Iraniane të Eksportit të Gazit (NIGEC).

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›