E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani dërgoi anije në Mesdhe

Anije luftarake iraniane kanë hyrë në Mesdhe, duke kaluar përmes Ngushticës së Suezit. Lajmin e ka bërë të ditur komandanti i Marinës së Republikës Islamike, admirali Habibollah Sayyari, i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve “Irna”.

Ndërkohë, sekretari britanik i Jashtëm ka paralajmëruar se ambiciet bërthamore të Iranit mund ta fusin Lindjen e Mesme në një luftë të ftohtë të re.

Në një intervistë për “Daily Telegraph”, William Hague ka deklaruar se nëse Irani zhvillon armët bërthamore, atëherë vendet e tjera në Lindjen e Mesme do të duan të bëjnë të njëjtën gjë.

Perëndimi dyshon se Irani do të prodhojë armë bërthamore me programin e tij, por Teherani insiston se programi në fjalë ka qëllime paqësore, vetëm për energjinë.

Në intervistën e tij për “Telegraph”, shefi i diplomacisë britanike ka thënë gjithashtu se një krizë po troket në dyert e vendeve të Perëndimit.

“Iranianët po e vazhdojnë programin e tyre bërthamor. Nëse ata pajisen me armë bërthamore, atëherë mendoj se të gjitha vendet në Lindjen e Mesme do të duan të bëjnë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Hague.

“Dhe nëse kjo ndodh do të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme dhe kërcënimi për një luftë të ftohtë në këtë rajon pa mekanizmat e duhur do të ishte një katastrofë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Ditën e premte, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shprehën optimiste për mundësinë e rifillimit të bisedimeve me Iranin për programin e tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›