Irani dhe shtetet arabe diskutojnë kontestin territorial

Ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit pritet të takohen sot në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të diskutuar kontestin territorial ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit.
Të dyja shtetet pretendojnë sovranitetin territorial mbi tre ishujt në jug të Gjirit.
Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ka zemëruar Emiratet e Bashkuara javën e kaluar, me vizitën e tij në njërin nga ishujt Abu Musa.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thirrur ambasadorin e Iranit në Abu Dabi, kanë tërhequr ambasadorin e tyre në Teheran dhe kanë paraqitur notë proteste në Kombet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, ka paralajmëruar të hënën shtetet arabe të Gjirit se gjërat “mund të komplikohen shumë” nëse ato “nuk veprojnë me kujdes”.