E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australia afron tërheqjen nga Afganistani

Kryeministrja Julia Gillard deklaroi se Australia do të tërheqë trupat e saj nga Afganistani më herët nga sa kishte planifikuar.

Zonja Gillard e bëri deklaratën e saj në një fjalim në Kanberra dhe në prag të konferencës së rëndësishme të NATO-s mbi Afganistanin, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Çikago.

Ajo tha se trupat do të nisin tërheqjen këtë vit dhe shumica e tyre do të jenë në shtëpi brenda vitit 2013, që është edhe viti i zgjedhjeve në Australi.

Australia ka rreth 1550 trupa që shërbejnë atje, kryesisht në rajonin e Uruzganit. Që prej vitit 2001, 32 ushtarë australianë janë vrarë në këtë vend, bëjnë të ditur mediat australiane.

Afati i ri i prezantuar nga kryeministrja Gilard parashikon kthimin e shumicës së trupave në shtëpi përpara vitit elektoral.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›