Shkup,Illyricum: Faktori politik shqiptarë të mos heshtë ndaj sulmeve

Organizata joqeveritare Illyricum Libertas në Tetovë ka kërkuar nga faktori politik shqiptar në Maqedoni të mos heshtë ndaj sulmeve që u bëhen shqiptarëve. Në një deklaratë për shtyp, kjo organizatë apelon tek faktori politik shqiptar në qeveri, që të dalë urgjentisht në mbrojtje të interesave të atyre votat e të cilëve i ka marrë në zgjedhjet e fundit si dhe të japë kontributin e vet të menjëhershëm në qetësimin dhe vënien nën kontroll të situatës së sigurisë në vend.
“Apelojmë deri tek popullata shqiptare që të jetë e kujdesshme dhe vigjilente ndaj çdo lloj provokimi të mundshëm nga ata që nuk e duan paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës.Kërkojmë nga prezenca ndërkombëtare në Shkup, që të ndërhyjë nëpërmjet lidhjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera të komunikimit në tejkalimin e situatës ku është futur vendi ditët e fundit”, theksohet në fund të deklaratës.
Gjithashtu kjo organizatë kërkon nga autoritetet e vendit të zbardhin sa më shpejt vrasjen e 5 shtetasve maqedonas në Shkup.
“Kërkojmë nga organet e rendit të marin masa të menjëhershme dhe të garantojnë jetën, pronën, dinjitetin dhe kushtet normale të sigurisë për shtetasit pa dallime etnike në gjithë territorin e vendit. Kërkojmë nga MPB të zbardhë sa më shpejtë që të jetë e mundur ngjarjen tragjike dhe të tmershme të vrasjes së pesë qytetarëve të pafajshëm maqedonas në afërsi të Shkupit”, thekson kjo organizatë.