E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani kritikon vendimin e Ligës Arabe për Sirinë

Irani ka thënë se vendimi i Ligës Arabe, për të suspenduar Sirinë ishte i padobishëm, në një kohë kur reformave të presidentit Bashar al-Assad duhet t’u jepet një rast.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ramin Mehmanparast, citohet nga transmetuesi shtetëror IRIB, të ketë thënë se “lëshimi i deklaratës së Ligës Arabe ka ndodhur në mes përpjekjes së shteteve të huaja për të ndërhyrë në punët e brendshme të Sirisë”.

Irani është aleat i ngushtë me Sirinë dhe që të dyja këto vende përkrahin grupet militante Hamas dhe Hezbollah.

Edhe Siria theksoi se vendimi i Ligës Arabe për ta suspenduar këtë vend ishte një “hap shumë i rrezikshëm”.

Ministri i jashtëm, Ualid al-Mualem, tha në një konferencë për shtyp në Damask se fakti që Washingtoni mirëpriti vendimin e Ligës Arabe ka shkaktuar “nxitje”.

Liga Arabe të dielën ka vendosur që të suspendojë Sirinë, deri sa kjo e fundit të zbatojë një marrëveshje për të ndalur dhunën ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Kombet e Bashkuara thonë se së paku 3.500 njerëz janë vrarë që nga marsi, kur kanë filluar protestat në Siri, kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›