“Il Cavaliere” thotë lamtumirë

Me largimin e Silvio Berlusconit nga funksioni kryeministrit të Italisë, ka përfunduar një epokë politike në vendin me më shumë skandale në historinë më të re të shtetit, vlerësojnë mediat perëndimore.
Berlusconi e "pushtoi Italinë" kur hyri skenën politike në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, në kohën kur ishte pronar i klubit të futbollit "Milan", si dhe i rrjetit të kanaleve televizive të popullarizuara dhe komerciale.
Kompania e tij "Fininvest" pati pjesëmarrje në shtëpinë botuese më të madhe italiane "Arnoldo Mondadori", e në mesin e botimeve është edhe "Panoramo", një prej revistave më të njohura në Itali.
Duke iu falënderuar kësaj, si dhe lidhjeve me Partinë Socialiste dhe udhëheqësin e saj, Betino Kraksi, Berlusconi u bë njëri prej njerëzve më të pasur dhe më me ndikim në Itali.
Ishte njëri nga kryeministrat me stazh më të gjatë në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, dhe i tretë kur bëhet fjalë për gjatësinë e mandatit nga formimi i Italisë, pas Benito Musolinit dhe Giovanni Giolitit.
Berlusconi e ka qeverisur Italinë tri herë që prej vitit 1994 pasi ka ndërtuar një perandori mediatike që e ka bërë atë një nga njerëzit më të pasur të vendit.
I lindur më 29 shtator 1936 në Milano, në veri, ky djalë i një punonjësi banke tregoi shumë shpejt dhunti të veçanta për biznesin.
Pasi ka qenë shitës aspiratorësh, këngëtar dhe animator i lokaleve të natës në vitet 50-ta, ai filloi të fitojë para në sektorin e pronave të patundshme, përpara se të interesohej për televizionin në fund të viteve 70-ta, më tej të themelonte një perandori, Mediaset, tre kanalet e të cilës mund të shihen nga të gjitha familjet italiane.
Kompania e tij holding Fininvest, ku përfshihen pjesëmarrjet në bankë, botimi apo televizioni, ka arritur një shifër biznesi prej rreth 5,5 miliardë eurosh në vitin 2009.
Ajo i bëri të mundur Silvio Berlusconit të jetë për 10 vjet në radhën e parë të më të pasurve të Italisë.
Silvio Berlusconi erdhi në pushtet për herë të parë në mars të vitit 1994, vetëm disa muaj pasi themeloi partinë e tij të qendrës së djathtë, "Forza Italia", mbi ato që kishin mbetur nga shpërbërja e partisë Demokracia e krishterë. E braktisur nga aleati i saj populist i Ligës së Veriut, qeveria e tij e parë zgjati vetëm shtatë muaj.
Fitorja e tij e dytë në vitin 2001 i bëri të mundur të qëndronte në pushtet për një legjislaturë të plotë pesë vjeçare, një rekord në historinë e Italisë së pasluftës.
Ai e pranoi disfatën me përballë Romano Prodit në vitin 2006, por ai arriti të rikthehej në krye të qeverisë në vitin 2008 duke arritur një fitore të tretë.
Drejtësia italiane e ndoqi penalisht Silvio Berlusconin për më tepër se 10 herë për korrupsion, mashtrim fiskal ose financim politik të paligjshëm.
Shpesh i dënuar në instancë të parë, ai nuk u dënua asnjëherë përfundimisht. Por, shumë procedura janë ende të hapura kundër tij për mashtrim fiskal, korrupsion dhe prostitucion me të mitura.
Berlusconi është përmendur për një sërë skandalesh seksuale dhe korruptuese, ndërsa mandatin e tij e shënuan gafe të shumta.
Ai do të kujtohet edhe për komentin rreth gjendjes në ekonominë italiane, me ç’rast ai tha se të jetohet në Itali do të thotë të jetohet në një vend me prosperitet, në të cilin asgjë nuk ndjehet si krizë serioze.
"Këtë e shohim në të gjitha rastet, shitjet nuk janë të vogla, restorantet janë përplot, është problem të gjendet vend në aeroplan, pushimoret janë të mbushura plot gjatë fundjavave të vazhduara", theksoi Berlusconi.
Deklaratë të pahijshme dha në prill të vitit 2009, kur i vizitoi të mbijetuarit në tërmetin të cilët ishin të vendosur në tenda. "Këtë gjë ata duhet ta shohin si fundjavë të kaluar në kamping", tha asokohe Berlusconi.
Është i njohur edhe për atë se veten e quante "Jezu Krisht i politikës". Ai thoshte se vetëm Napoleoni ka mundur të bëjë më shumë se ai, por se ai "definitivisht është më i gjatë". Do të përkujtohet edhe për deklaratën për Musolinin, për të cilin tha se nuk ka vrarë askënd, por se vetëm "i ka dërguar njerëzit në ekzil".
Gjatë fotografimit në grup në një Samit joformal të BE-së në Spanjë, në shkurt të vitit 2002, Berlusconi vendosi dy gishta mbi kokën e ministri spanjoll të Punëve të Jashtme, Josef Pique.
Beppe Severgnini, komentues në gazetën “Corriere della Sera”, shprehet: “Berlusconi është një joshës serik. Ai është punëtor mes punëtorëve dhe mes fshatarëve. Ai është si italianët e zakonshëm. Ai bën shaka, flet për femrat, mburret. Në shumë ambiente tipike italiane është dikush si ai.Në çdo kafe mund të takosh dikë si ai. Ai është si burri tipik italian, por i shumëzuar me pesë”.
Interpretimet e atyre që e njohin në Itali ndryshojnë. Madje shprehen se burri i njohur si “Il Cavaliere” e sheh botën si skenën e tij personale, thjesht lë të ndodhë çdo gjë në publik, siç njerëz të tjerë të fuqishëm e të pasur bëjnë privatisht.
Antonio Amadori, një psikolog eksperimental dhe autor i librit për Berlusconin, “Mi Consenta”, beson se kryeministri është më së shumti i shtyrë nga dëshira për të përmbushur krejtësisht vetëdijen e publikut.
“Të pyesësh se pse ai i bën ato gjëra është si të pyesësh pse Jerry Lewis i bën ato që bën. Ai është ai që është. Ai është teatral dhe beson në karizmën e tij dhe aftësitë për të improvizuar”, shprehet Antonio Amadori. Në fakt, Amadori vret mendjen nëse me mbërritjen e Obama-s dhe perspektivën e një figure aq mahnitëse, i ri dhe i pashëm në skenën botërore, Berlusconi është ndier xheloz.