E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani nuk ndal përpjekjet për armë bërthamore

Irani do të vazhdojë përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore edhe nëse shtohen sanksionet ndaj tij, deklaroi shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, Mike Mullen.

Ai nënvizoi se do të ishte “jashtëzakonisht e rrezikshme” nëse Teherani pajiset me armë bërthamore dhe shtoi se nuk ka arsye t’i besohet pretendimeve të Teheranit se programet bërthamore kanë vetëm qëllime civile.

Megjithatë, Mullen tha se sulmet ushtarake kundër Iranit do të ishin “shumë destabilizuese” për të gjithë rajonin.

Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kërkuar mbajtjen e një takimi mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore lidhur me karburantin bërthamor, të nevojshëm për reaktorin mjekësor në Teheran.

Deklarata e Lavrovit është bërë për agjencinë e lajmeve Itar-Tass gjatë vizitës së shefit të diplomacisë ruse në Izrael.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›