E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synimi i Blerandit

Ndeshja e futbollit që zhvillohej në kuadër të Kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010, nuk i linte shumë përshtypje ministrit më të ri në Qeverinë e Kosovës. Për ish-basketbollistin e Prishtinës, Blerand Stavileci, tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural, sporti i takon së kaluarës, kohë për të cilën krenohet. Tani thotë se ka aq shumë punë në këtë ministri, sa që pjesën më të madhe të kohës e kalon duke lexuar mbi problemet bujqësore. Në një intervistë për gazetën Express, Stavileci tregon se është i përkushtuar që sektori i bujqësisë të mos mbetet sektor strategjik vetëm në aspektin deklarativ, por të jetë edhe në rrafshin konkret.

Megjithatë, tani për tani, ai thotë se Qeveria e Kosovës ka prioritet autostradën, pasi që pjesa më e madhe e mjeteve është orientuar atje.

“Kur themi se është sektor prioritar, atëherë edhe burimet e financimit duhet të jenë të orientuara nga ai sektor. Ne e dimë se cilat janë nevojat aktuale të vendit tonë dhe një vend nuk mund të ketë qindra prioritete”, pohon Stavileci.

Ai beson se ndërtimi i autostradës për sektorin e bujqësisë do të sjellë shumë të mira dhe kështu gradualisht ky sektor do të prioritetizohet.

Por, edhe në këto rrethana financiare, numri një i kësaj ministrie beson se me një politikë të mirë menaxhuese, do të mund të vihen disa punë në rend.

“Ne edhe sivjet, megjithëse kërkesat e nevojat janë të shumta për këtë buxhet, por edhe një buxhet i dhjetëfishuar nuk do t’i plotësonte ato, kemi bërë më të mirën e mundshme duke i distribuuar ato në programe dhe projekte të rëndësishme për sektorë të caktuar”, thekson Stavileci.

Bashkë me grantet e donatorëve, financimin nga komunat dhe buxhetin e Ministrisë që është rreth 10 milionë euro, ai është i vetëdijshëm se nuk do të mund të arrijë që përfundimisht t’ia japë bujqësisë epitetin e sektorit prioritar, por thotë se mund të bëhen shumë punë të mira dhe të arrihen shumë rezultate. Që tani thotë se për sektorin e qumështit dhe të drithërave i kanë rritur grantet për 50 për qind, derisa për hortikulturë, pemëtari dhe vreshtari, grantet nga 700 mijë euro janë dyfishuar. Ndërkaq, sivjet pret që donatorët të ndajnë 5 milionë euro grante për projekte në sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, Stavileci vlerëson se nuk është se vetëm ministria që ai udhëheq është bartëse e zhvillimit në këtë sektor. Ka shumë çështje, sipas tij, që duhet të kenë komunikim, bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve ndërinstitucionale për të gjetur zgjidhje.

Ai tashmë ka krijuar një opinion se mungon informimi i përgjithshëm te qytetarët, e sidomos te fermerët, pasi që njerëzit shpeshherë në mungesë të informacionit nuk ndërmarrin aktivitete dhe iniciativa për të punuar tokat.

“Është e vërtetë se nuk është gjithçka perfekt dhe ideale për të funksionuar, po ashtu është e padrejtë të themi se toka nuk punohet se nuk ka llogari”, pohon Stavileci.

Shumë njerëz në Kosovë, sipas tij, kanë shumë mundësi për të filluar projekte të reja në bujqësi, por duhet gjetur mënyrën bashkërisht me Ministrinë dhe institucionet e tjera si t’i kapitalizojnë ato. Shembulli mi i mirë, ministri thotë se është ai i kultivuesve të dredhëzës, të cilët tek pasi që kanë marrë produktin final nga mbjellja e tyre, e kanë kuptuar se ia vlen të merren dhe ta kultivojnë këtë kulturë.

“Secili në zinxhirin e gjithë faktorëve duhet ta luajë rolin e vet. Edhe Ministria, edhe faktorët e tjerë duhet ta japin kontributin e vet. Nuk duhet kërkuar gjithmonë një adresë e fajësisë, se kjo gjë nuk bëhet pa e provuar”.

Stavileci thotë se përmes granteve direkte për sektorin e qumështit dhe drithërave, po ashtu dhe sektorë të tjerë, po mundohen t’i joshin fermerët që ta punojnë tokën.

“Fermerët kanë mungesë të informacionit, përndryshe kanë shanse shumë të mira të nisin punë prej të cilave kanë mundësi të përfitojnë”, pohon ai.

Përveç kësaj, numri një i Ministrisë së Bujqësisë thotë se janë duke bërë Ligjin e ri për tokat bujqësore dhe janë duke rregulluar kuadrin ligjor që t’i bindin njerëzit që ta punojnë tokën. Ndër hapat konkretë që janë duke u bërë në këtë ministri, tani për tani Stavileci tregon se është duke u punuar për sektorin e qumështit që të favorizohen prodhuesit kosovarë karshi importuesve.

“Përveç rritjes së përkrahjes financiare, do t’i bëjmë edhe disa veprime përcjellëse për t’i favorizuar ata. Gjithashtu duhet të jetë në vetëdijen e atyre prodhuesve e përpunuesve që të kujdesen, ta rrisin cilësinë”, shprehet Stavileci.

Për të qenë produktet kosovare konkurruese dhe për t’i zëvendësuar produktet e importit, ai thotë se nuk duhet pritur që se secila iniciativë dhe aktivitet të burojë dhe të finalizohet vetëm brenda Ministrisë.

“Barra u bie të gjitha hallkave, që secila të japë kontributin e vet. Në rastin konkret, edhe prodhuesit ta rrisin cilësinë, të investojnë në teknologji, t’i shfrytëzojnë skemat e ndryshme për të investuar”.

Ai e di se skemat e tanishme të investimit nuk janë të mjaftueshme dhe të favorshme për prodhuesit bujqësorë kosovarë që të përparojnë teknologjinë e tyre, por shumë shpejt thotë se do të krijojnë një sistem të ri të kreditimit, të ndryshëm nga ai që është tani.

“Për këtë jemi duke pritur që brenda dhjetë ditësh të vijnë dy ekspertë amerikanë, por edhe të tjerë, të cilët do të analizojnë tregun e skemave financiare, të profilizuar në sektorin e kreditim financiar për bujqësi, në mënyrë që me modelin që propozohet, ne ta rrisim nivelin e kredive dhe t’i ulim normat e interesit”.

Tashmë ekzistojnë disa modele, por Stavileci thotë se do të marrim atë që është më e përshtatshme për ta arritur këtë qëllim.

Një nga modelet e propozuara është njëlloj fondi për garantimin e kredive bujqësore, por ka edhe forma të tjera, si subvencionimi i kamatave edhe krijimi i një banke agrare.

Ashtu sikur edhe vitin e kaluar, korrje-shirjet sivjet do të subvencionohen në masë më të lartë. Por, ministri i Bujqësisë thotë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa është sipërfaqja totale e mbjellë me grurë këtë vit.

“Ekzistojnë të dhëna që varirojnë nga 30 mijë deri në 80 mijë”, thotë Stavileci.
Deri më tani, ai pohon se nuk ka pasur informata të sakta se sa është sipërfaqja e mbjellë, prandaj edhe janë duke u bërë regjistrime të reja. Por, derisa nuk ka regjistrim të popullsisë dhe kadastrës, nuk do të ketë të dhëna të sakta për sipërfaqet e mbjella me drithëra, kështu që, pa i ditur këto të dhëna, nuk mund të dihet sa prodhon Kosova miell në vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›