E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani pranon marrëveshjen

Irani ka pranuar marrëveshjen për karburantin bërthamor, pas ndërmjetësimit të udhëheqësve të Brazilit dhe Turqisë.

Marrëveshja duhet t’i heqë shqetësimet ndërkombëtare rreth ambicieve bërthamore të Iranit.

Vendet e Perëndimit druajnë se Irani synon të prodhojë armë bërthamore, akuza këto të cilat Teherani i mohon kategorikisht.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ramin Mahmanparast, tha se në bazë të marrëveshjes, Irani do ta dërgojë pjesën më të madhe të uraniumit të pasuruar në Turqi, për t’u shndërruar në uranium të shkallës së lartë, që do të përdoret për kërkime mjekësore.

Marrëveshja u arrit sot në Teheran, gjatë bisedimeve ndërmjet presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva, kryeministrit të Turqisë, Rejjep Taip Erdogan, dhe presidentit të Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Jashtëm i Iranit, Manusheher Motaki tha se për detajet marrëveshja do të arrihet më vonë.

“Lidhur me përgjigjen pozitive ndaj grupit të Vjenës, pra, SHBA-së, Rusisë, Francës dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, detajet tjera do të elaborohen përmes pajtimit me shkrim dhe marrëveshjes ndërmjet Iranit dhe grupit të Vjenës”, tha Motaki.

Turqia dhe Brazili, anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ishin deklaruar kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit, për shkak se Teherani dështoi ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit.

Duke folur pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologët nga Brazili dhe Irani, ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha se Turqia nuk sheh nevojë për sanksione të mëtejme kundër Iranit.

Më herët, Irani e kishte refuzuar planin e Kombeve të Bashkuara, për shkak se Teherani dëshironte që shndërrimi i karburantit të bëhet në territorin e vet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›