E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani s’e liron familjen Bin Laden

Njëri prej djemve të udhëheqësit të Al-Qaedas, Osama bin Laden, deklaroi të hënën se Teherani kërkon ndërmjetësimin e dikujt që s’ka prejardhje saudite për lirimin e rreth 20 anëtarëve të familjes së tij, e cila jeton atje në arrest shtëpiak, që nga viti 2001.

"Na nevojitet një ndërmjetës shtetëror, sepse iranianët refuzojnë t’ia lirojnë anëtarët e familjes së shefit të Al-Qaeda’s Arabisë Saudite, shtetit të tyre të prejardhjes”, theksoi Omar bin Laden për televizionin Al-Arabia, e cila e transmetoi një pjesë të intervistës me të.

Omar pohoi se 20 anëtarët e familjes së tij jetojnë në një kompleks banesor në Teheran, ku po mbahen që nga ikja e Osama’s në Afganistan, në vitin 2001.

Në mesin e këtyre anëtarëve të familjes bin Laden “janë pesë gra, dy vajza dhe nipat e babait tim, Osam bin Laden, që e ruan Allahu”, tha Omar bin Laden, derisa shtoi se po bëhen përpjekje që ata të largohen nga Irani. Sipas tij, Washingtoni nuk ka refuzuar që t’i pranojë ata në SHA.

"Asnjëri nga vëllezërit e mi nuk është objekt akuze nga asnjë palë, përfshirë këtu edhe atë amerikane”, tha Omar, sipas të cilit “amerikanët ofruan ndihmën e tyre” për braktisjen e Iranit.

Në muajin mars, i biri i bin Laden njoftoi se u kishte bërë thirrje Katarit dhe Emirateve të Bashkuara për ta pranuar familjen e tij.

Asokohe Irani tashmë kishte liruar një motër dhe një vëlla të tij, të cilët kishin shkuar në Siri, ku jeton nëna e tyre, me prejardhje siriane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›