Irani,nis provën për centralin bërthamor
Republika Islamike e Iranit ka njoftuar se bashkë me zyrtarë rusë të energjisë bëthamore ka filluar provën në centralin bërthamor në Bushehër, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e punës së tij, provë e cila ka rezultuar e suksesshme. Zëdhënësi i organizatës iraniane për energji bërthamore, Mohsen Shirazi, ka thënë se bëhet fjalë për esperimentimin e karburantit të bazuar në plumb, i cili kishte për qëllim imitimin e uraniumit të pasuruar. Ndërkohë një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Irani nuk e ka ngadalësuar aktivitetin e tij bërthamor dhe planifikon të instalojë rreth 50 mijë centrifuga për të pasuruar uraniumin gjatë pesë viteve të ardhshme. "Aktualisht kemi 6 mijë centrifuga në punë dhe do të rrisim aktivitetin tonë duke instaluar të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas kalendarit islamik", është shprehur kreu i Organizatës Iraniane për Energjinë Bërthamore, Golamreza Agazadeh, në jugperëndim të Iranit, ku po ndërtohet impianti bërthamor. Ai nuk tha se sa centrifuga do të instalohen në mars të vitit 2010, por theksoi se Irani planifikonte instalimin e 50 mijë centrifugave në pesë vitet e ardhshme. "Nuk i kemi ndryshuar planet tona. As nuk kemi ngadalësuar dhe as përshpejtuar aktivitetet tona këtu", nënvizoi Agazadeh, duke iu referuar impiantit të pasurimit në qendër të Iranit. Vendet perëndimore dyshojnë se Irani synon prodhimin e bombës atomike, ndërkohë që ka kritikuar Rusinë për përfshirjen e saj në ndërtimin e centralit në Bushehër. Teksa Rusia, shprehet se ky projekt ka karakter krejtësisht civil dhe nuk mund të përdoret për armatim.