E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia:Prishtina mbrojtje dinjitoze në Hagë

Kosova ka më pak se dy muaj kohë deri në momentin kur duhet të dorëzojë përgjigjen me shkrim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë,në Hagë,nga e cila Serbia ka kërkuar që të deklarohet mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që procesi nuk bëhet transparent për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë së çështjes. Zëvendësministrja e Jashtme kosovare Vlora Çitaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ekziston një koordinim në rrafshin ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurohen sa më shumë deponime në favor të palës kosovare. "Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, unë nuk mund të deklarojë detaje për këtë gjë, por siguroj qytetarët e Kosovës se institucionet po i përmbushin detyrimet e tyre, në mënyrë që prezantimi i palës kosovare në Gjykatën e Hagës të jetë sa më dinjitoz", është shprehur ministrja Çitaku. Kohë më parë, përmes një letre, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç iu ka kërkuar 80 vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që të mbështesin Serbinë, e cila inicioi çështjen e vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, pala kosovare thotë se tashmë ka siguruar disa konfirmime për përgjigje në favor të Kosovës. Megjithatë, nuk jepen të dhëna për numrin e këtyre shteteve. Vlora Çitaku jep disa arsye se përse ky proces nuk është më transparent. "E para e punës është kërkesë e Gjykatës që të jemi të përmbajtur në deklarata dhe e dyta, nuk do të donim që me përgjigjet tona t'i japim palës kundërshtare argumente për mënyrën se si po përgatitemi", theksoi Çitaku.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›