E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR dhe UNMIK, "betejë" me serbët

Forcat e policisë së UNMIK-ut u tërhoqën nga Veriu i Mitrovicës pas zhvillimeve të së hënës, kur ata morën nën kontroll Gjykatën e Qarkut dhe u përplasën me protestuesit serbë. Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë marrë tani përgjegjësinë për situatën në veriun e qytetit të ndarë. Ndërkohë, mësohet se 25 policë të UNMIK-ut dhe 8 paqeruajtës janë plagosur pas përplasjeve të djeshme me protestuesit serbë. Disa prej tyre mendohet se kanë marrë plagë gjatë një shpërthimi, ndërkohë që njoftohet se mbi ta është qëlluar edhe me armë zjarri. Sipas informacioneve ka edhe dhjetëra të lënduar në radhët e protestuesve serbë. Situata në veri filloi të përshkallëzohej pas operacionit të policisë ndërkombëtare në Gjykatën e Qarkut në veri. Njësitë speciale të policisë së UNMIK-ut ndërhynë të hënën, herët në mëngjes, në ndërtesën e OKB-së në Mitrovicën e Veriut, duke e marrë atë nga serbët që e kishin pushtuar ditën e premte. Në operacion u përfshinë qindra forca policore, kryesisht ukrainase, të Kombeve të Bashkuara. Policia thotë se arriti të arrestojë 53 pjesëtarë të komunitetit serb, që hynë në gjykatë ditën e premte të javës së kaluar. Por, një pjesë e të arrestuarve janë liruar, pasi autokolona e makinave të policisë së UNMIK-ut që po i transportonte ata, u sulmua nga protestuesit serbë. Aktet e dhunës që u panë në Mitrovicën e Veriut dje, janë më të rëndat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Policia ka përdorur madje edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur para Gjykatës. Veton Elshani, zëdhënësi i policisë, tha se rreth 200-300 qytetarë ishin mbledhur rreth ndërtesës së Gjykatës së Qarkut dhe kanë hedhur gurë dhe bomba molotov mbi policinë e UNMIK-ut, KFOR-it dhe SHPK-në. Ai konfirmoi se ishin arrestuar rreth 50 protestues serbë, ndërkohë që e cilësoi situatën "delikate", por nën kontroll. "Në varësi të situatës, do të veprojmë në vazhdim", tha zëdhënësi i SHPK-së. Mbi 200 pjesëtarë të komunitetit serb, që pretendojnë se kanë qenë ish-punonjës të Gjykatës dhe që u larguan nga puna pas përfundimit të luftës më 1999-ën, morën kontrollin në ndërtesën e Gjykatës të premten e kaluar, duke thyer dyert e saj dhe duke vendosur flamurin serb në vend të atij të OKB-së. Autoritetet ndërkombëtare e kanë dënuar hyrjen me dhunë në Gjykatë dhe kanë kërkuar rivendosjen e kontrollit nga Misioni i OKB-së. Shefi i UNMIK-ut, Joackim Ruecker, ka kërkuar ditën e premte nga policia ndërkombëtare që të ndërhyjë për të vendosur kontrollin në Gjykatë, ndërkaq autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si provokim një veprim të tillë në veri. Incidenti me Gjykatën shënon të dytin radhazi që nga mesi i muajit shkurt, kur në shenjë kundërshtimi ndaj pavarësimit të Kosovës, serbët lokalë dogjën dy posta kufitare në kufi me Serbinë. Pjesëtarët e komunitetit serb kanë kundërshtuar fuqishëm pavarësimin e Kosovës dhe kanë protestuar që nga dita e shpalljes së saj. Një numër punonjësish serbë të administratës në disa komuna të Kosovës dhe të SHPK-së kanë lënë vendet e tyre të punës pas vendimit për pavarësimin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›