Irlanda, gati skuadra kundër Shqipërisë
Trajneri i Irlandës së Veriut, Najxhëll Uorthington, ka publikuar listën me 23 futbollistë që do të ketë në dispozicion për miqësoren e 3 marsit kundër Shqipërisë në “Qemal Stafa”. Aty bie në sy prezenca e mbrojtësit të Mançester Junajtid, Xhonatan Evans, ndërsa lojtarë të tjerë të spikatur janë Rajan MekGiven i Mançester Sitit dhe treshja e Sandërlendit, skuadrës ku Lorik Cana është kapiten, Trevor Karson, Xhorxh MekKartnei dhe Devid Heili. Pragmiqësorja me kuqezinjtë e drejtuar nga Josip Kuzhe ka nxjerrë në dukje edhe një problem në radhët e irlandezëve. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Evertonit, Shejn Dafi, i cili nuk ka pranuar ftesën për të luajtur me përfaqësuesen e drejtuar nga Uorthington. 19-vjeçari i bëri të ditur drejtuesve të federatës (IFA) se preferon të luajë me Republikën e Irlandës, të drejtuar nga Xhovani Trapatoni.
#