Irma Kurti, flet italisht “Midis dy brigjeve”
Aty ka rrëfyer gjithçka. Ka folur për nënën, dhimbjen e humbjes së saj, poezinë, punën, festivalet e dikurshme, gëzimet, zhgënjimet, dashuritë... Irma Kurti, një vit pas prezantimit të romanit të saj të parë autobiografik në Shqipëri, është prezantuar edhe para lexuesit italian. Libri “Midis dy brigjeve”, është hedhur në qarkullim në Itali nga shtëpia botuese “Kimerik” me titullin "Tra le due rive". Në faqet e tij Irma ka shtrydhur gjithë dhimbjen për humbjen e nënës dhe jo vetëm. Aty janë edhe rrëfimet e kohës së rinisë së një poeteje të re, me ëndrra e synime të mëdha, që kur shkeli për herë të parë ambjentet e Radio Tiranës, ndeshi zhgënjimin e shkaktuar nga po ata kompozitorë me emër që deri atëherë i kish parë si idhuj. Sepse “ishin njerëz me emër, artistë të merituar, po kur i njihja nga afër ishin jo korrektë, nuk më shikonin si poete, po si një vajzë të re, si një femër të cilën mund ta shfrytëzonin”. Vendosur “mes dy brigjeve” janë edhe kujtimet e historive të saj të dashurisë, plagët që ka marrë prej tyre dhe kujtimet, shpesh aspak të këndshme, që e përndjekin edhe sot. Të thëna ashtu, hapur dhe pa drojë, duke shkelur edhe frikën e ndonjë keqkuptimi të mundshëm që mund të shkaktojë ndër lexues. Mbase sepse Irma Kurti tanimë e ka mbyllur kapitullin "Shqipëri", për të qëndruar përgjithmonë në Itali.
“Ky libër -shkruan Irma Kurti- është për të gjithë ata që, ashtu si unë, jetojnë çdo ditë më një boshllëk të madh. Irma Kurti është autore e pesë vëllimeve me poezi: “Këtë natë me ty” 1999, “Shihemi në një tjetër botë” 2002, “Qirinjtë janë fikur” 2003, ““Bëj sikur fle” 2005, “Puthja e fundit” 2007.