Shtëpia e Kadaresë, ndryshim projekti ose në gjykatë
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër sheh si rrugëzgjidhje për rinisjen e punimeve restauruese në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare ndryshimin e projektit ose dërgimin e çështjes në gjykatë. Prej disa muajsh punimet për kthimin në identitet të banesës së Kadaresë, në lagjen ‘Palorto’, janë bllokuar për motive pronësie. Në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur shqiptar, një grup intelektualësh gjirokastritë, miq të Kadaresë, kërkuan rifillimin e punës në mjediset e gurta të shtëpisë. Sipas drejtorit të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Spartak Drasa, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës ka patur një angazhim maksimal për zhbllokimin e situatës, madje është ngritur edhe një grup i veçantë pune. “Shkak i bllokimit të punimeve është bërë mosmarrëveshja me komshinjtë aktualë të shtëpisë së Kadaresë, në lidhje me restaurimin e një galerie guri në pjesën lindore të shtëpisë”, thotë drejtori Drasa. Në këtë drejtim po shikohet mundësia e ndryshimit të projektit restaurues në këtë pjesë të shtëpisë pa krijuar probleme për zbatimin e tij, në mënyrë që punimet restauruese të nisin sa më shpejt. Sipas përfaqësuesve të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, dërgimi i kësaj çështje në gjykatë do të shpenzonte kohë, duke bllokuar restaurimin e shtëpisë. Punimet restauruese në banesën e Kadaresë nisën në vitin 2006, nëpërmjet një donacioni të akorduar nga qeveria shqiptare. Banesa e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, e cila u dëmtua përpara disa vitesh për shkak të një zjarri aksidental, pas përfundimit të projektit restaurues do të shndërrohet në një qendër ndërkombëtare kulture.
Vetëm pak kohë më parë një grup intelektualësh gjirokastritë, miq të shkrimtarit, i kanë kërkuar publikisht drejtuesve të pushtetit lokal, mediave si dhe përfaqësuesve të UNESCO-s, që të ndërhyjnë për zhbllokimin e gjendjes së krijuar. Gjatë viteve të fundit në banesën e Kadaresë janë investuar rreth 200 mijë dollarë, ndërkohë që UNESCO, nëpërmjet një financimi me të njëjtën vlerë, synon të përfundojë plotësisht restaurimin e banesës së gurtë dhe shndërrimin e saj në një qendër për nxitjen e kulturës dhe turizmit në Gjirokastër. Në shtëpinë e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare ka përfunduar tashmë faza e parë e punimeve me një investim prej 10 milionë lekësh të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Kjo fazë përfshinte ringritjen e godinës pas shkatërrimit nga djegia.
Pasi u përzgjodh firma që do të merrej me restaurimin (fazën e dytë të projektit), nga UNESCO, me një financimi me vlerë 165 000 USD, puna ka mbetur në vend. Gjatë fazës së parë të punimeve në shtëpinë e Kadaresë janë bërë disa zbulime të rëndësishme për historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore, si dhe zbulimi i një pllake me të dhënat tipologjike për banesën, me dy mbishkrime, njëri në gjuhën turke, "Viti 1677".