Xhaferraj: Harmonia ndërfetare, vlerë integruese

Çelet në Tiranë simpoziumi ndërkombëtar për diversitetin fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan.
Në fjalën e tij ministri i MTKRS-së Fredinand Xhaferraj rivlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri si një vlerë e kombit tonë.
“Harmonia ndërfetare është vyrtyti më i çmuar që karakterizon Shqipërinë. Është një model i patjetërsueshëm që ekziston në vendin tonë” theksoi Xhaferraj.
Sipas tij harmonia ndërfetare që ekziston në Shqipëri vjen edhe si një vlerë integruese në familjen e madhe europiane.
“Kur në vende të ndryshme të botës feja ka shfaqur problematika, Shqipëria jep një model të bashkëjetesës që na prezanton me dinjitet në Europë” theksoi Xhaferraj.
Ndërsa rektori i universitetit të Tiranës Dhori Kule duke vlerësuar harmoninë ndërfetare ka theksuar se diversiteti fetar është një pasuri e kombit tonë. Sipas tij kjo vlerë e vendit tonë është një shembull që do t`i shërbejë rajonit të Ballkanit.
Në fjalën e tij Paul Weller nga universiteti i Derbit në Angli ka vlerësuar harmoninë ndërfetare në Shqipëri duke theksuar se vendet e tjera duhet të mësojnë nga përvoja shqiptare.