E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ironia e mediave, Fernando Torres, si Edmond Kapllani

/* */

Mediat e huaja sportive kanë vendosur në shenjestër sulmuesin spanjoll Fernando Torres, të transferuar për shumën e 59 milionëve te Çelsi në janar të vitit 2011. Bilanci i tij është katastrofik: vetëm 2 gola në 24 ndeshje, madje televizioni gjerman “N-Tv” dhe portali sportiv Kicker.de, ish-sulmuesin e Liverpulit ironikisht e kanë krahasuar me shqiptarin Edmond Kapllani, ky i fundit ka shënuar vetëm dy gola në Bundesligë në kohën kur ishte pjesë e Karlsruhes.
“Dy gola për 59 milionë euro; një gol në 14 ndeshje apo 732 minuta”, ishin disa nga krahasimet për përfomancën e lojtarit të Kombëtares spanjolle. Edhe për golin e tij i fundit (i dyti), i shënuar në humbjen 3-1 të Çelsit kundër Mançester Junaitid, në fakt një supergol, ai mori nënqeshjen e tifozëve dhe të medias angleze, pasi Torres nuk shënoi më pas me portën bosh, nga një distancë prej gjashtë metrash. Gazeta sportive gjermane “Kicker” shkruante se karriera e Torres duket se do të përfundojë në mënyrë fatale, për shkak të tranferimit në klubin e gabuar.

Spanjolli 27-vjeçar ka humbur nuhatjen e golit. Madje në Angli është hapur diskutimi, se nëse Torres është blerja më e gabuar në historinë e futbollit, pasi duke parë bilancin e deritanishëm, një gol i shënuar prej tij kap shifrën e 29 milionë eurove, një shumë kolosale. “Është e habitshme, që një nga sulmuesit më të mirë në botë, i cili theu rekordin e shumës së paguar për transferimin, të realizojë po aq sa Edmond Kapllani”, - shkruante “Kicker”. Statistikat e bëjnë Fernando Torresin edhe më të dështuar se ukrainasi Andrij Shevçenko, ky i fundit u ble për 30 milionë paund, në gusht të vitit 2006. Por, ish-sulmuesi i Milanit shënoi në vitin e patë të tij gjashtë gola në 21 ndeshje, edhe pse ishte 30 vjeç dhe nuk kishte shpejtësinë që nevojitet në Angli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›