Caktohet gjyqtari për komisionerët e komunës Portëz
Zgjedhjet/ Janë 6 komisionerë të cilët akuzohen për braktisje të detyrës. Banorët e komunës: Do t'i bojkotojmë prapë zgjedhjet
FIER - Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit u hodh dje shorti për gjyqtarin i cili do të gjykojë çështjen e gjashtë të pandehurve të komunës Portëz të Fierit, komunë në të cilën nuk u zhvilluan zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar.
Bëhet e ditur se çështja i ka rënë në short gjyqtarit Piro Sota. Në kërkesën për gjykim të hartuar nga prokurori Çlirim Sino, është ngritur akuza e "braktisjes së detyrës nga anëtarët e komisionit të zgjedhjeve" për gjashtë anëtarë të komisionit të Qendrave të Votimit Nr.3119 dhe 3120.
Prokuroria
Në kërkesën për gjykim të paraqitur në gjykatën e shkallës së parë rezulton se më 30 qershor të vitit të kaluar është regjistruar procedimi penal mbi bazën e kallëzimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kallëzimi është bërë ndaj shtetasve Mane Goxhaj, 39 vjeç, sekretar, Lefter Kallashi me detyrë kryetar, Abedin Çobaj me detyrë zëvendëskryetar.
Të tre këta shtetas kanë qenë në komisionin e qendrës së votimit Nr.3119. Ndërsa Kastriot Hoxha, 45 vjeç, me detyrën e kryetarit, Tajar Behari, 46 vjeç, zëvendëskryetar dhe Riza Meta me detyrën e sekretarit të komisionit kanë qenë në qendrën e votimit 3120. Të gjashtë shtetasit e lartpërmendur, të hetuar pa masë sigurimi akuzohen për "braktisje të detyrës".
Sipas prokurorisë, këta komisionierë në datën 28.06.2009, ditën që do të votohej për Kuvendin e Shqipërisë, nuk janë paraqitur pranë Komisionit të Zonës Administrative Zgjedhore Nr.19 të Qarkut Fier, për të marrë materialet e votimit dhe për pasojë në këto dy qendra votimi nuk janë zhvilluar votimet.
Reagimi
Por, pas dërgimit të çështjes në gjykatë, kryetari i komisionit të qendrës së votimit 3120, Kastriot Hoxha, i PS-së u shpreh se ata janë nisur për të tërhequr bazën materiale, por nuk janë lejuar nga protestuesit. Ndërkohë ai pohon se ky proces ndaj tyre është i padrejtë.
"Përballë protestës së ligjshme të banorëve të gënjyer për rrugën për tetë vjet, ne nuk mund të zbatonim detyrën, - thotë Hoxha. - Policia nuk na mbështeti për të na çuar ne dhe bazën materiale në vendin e caktuar", shton ai, ndërkohë që kundërshton akuzën e prokurorisë Fier.
Banorët
Ndërsa vetë banorët e komunës Portëz pohojnë se nëse shtrimi i rrugës nuk do të bëhet, ata do të vijojnë me bojkotimin edhe të zgjedhjeve të tjera. Ata u shprehën se ishin ata që s'i lejuan komisionerët të tërhiqnin materialet e votimit, për shkak se kërkojnë shtrimin e rrugës prej 7 kilometrash që lidh fshatrat e tyre me qytetin e Fierit.
Shkaku i bojkotimit të zgjedhjeve
2 000 votues të fshatrave Mbyet, Plyk dhe Krapës, të cilët i përkisnin qendrave të votimit të sipërcituara kishin vendosur që më 28 qershor 2009 të mos shkonin të votonin. Shkak i këtij vendimi është një rrugë e gjatë 7 kilometra që lidh tre fshatrat me qytetin e Fierit.
Banorët kanë vite që kërkojnë që kjo rrugë të shtrohet për shkak se shkatërrimi i saj ka arritur në atë pikë që asnjë mjet s'mund të kalojë në të. Peticionet, letra drejtuar qeverisë dhe presidentit kanë rënë në vesh të shurdhër. Në këto kushte banorët vendosën që në shenjë proteste të mos votojnë.
Me këtë rast u mblodhën banorë nga të tre fshatrat të partive të ndryshme ku mbas një debati midis përfqësuesve u vendos që asnjë votues të mos paraqitej në qendrat e votimit. Gjithashtu u vendos mospranimi i materialeve për dy qendrat e tyre të votimit 3119 dhe 3120.
Ndërkaq ditën e protestës shumë prej banorëve u shprehën se nuk do të lejonin zëvendësimin e komisionerëve të tyre. Ndërsa kryetari i këshillit të komunës Portëz, Melsi Bogdani, pati deklaruar se bojkotimi i zgjedhjeve ishte shpresa e fundit për banorët.