Rrëshqitjet e tokës, del jashtë funksioni ujësjellësi i Kukësit

Si pasojë e rrëshqitjes dëmtohet totalisht vepra e marrjes e njërit prej ujësjellësve të Kukësit në fshatin Lojme
Kukës - Rrëshqitjet e tokës kanë dëmtuar totalisht njërin prej ujësjellësve që furnizon me ujë qytetin e Kukësit dhe fshatrat përreth. Për pasojë kanë mbetur pa ujë të pijshëm një numër i madh banorësh të lagjeve të qytetit, si dhe të fshatrave përreth që furnizohen nga ky ujësjellës.
Shirat e vazhdueshëm që kanë rënë gjatë këtyre ditëve kanë shkaktuar një numër të madh rrëshqitjesh në rrugë. Por shkarjet nuk kanë lënë pa prekur edhe ujësjellësin e Kukësit duke e nxjerrë jashtë loje.
Specialistë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Kukës të cilët ishin në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur për gazetën "Shekulli" se vepra e marrjes e ujësjellësit të Lojmes që furnizon me ujë një pjesë të qytetit të Kukësit si pasojë e rrëshqitjes ka pësuar një spostim duke pësuar dëmtime të mëdha dhe duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.
Sipas specialistëve të ujësjellësit, dëmi është i pariparueshëm për momentin pasi nevojitet ndërhyrje me investime për të ndërtuar një depo tërësisht të re.
Ndërkohë që ndërmarrja e ujësjellësit, e cila prej dy vjetësh ka kaluar nën administrimin e bashkisë, nuk ka mundësitë financiare për të bërë një investim siç është rasti për veprën e marrjes së ujësjellësit të Lojmes.
Nga dëmtimi i veprës së marrjes si pasojë e rrëshqitjes uji tashmë derdhet në përrua, ndërkohë që lagjet nr.1, lagjja e re, lagjet informale përreth qytetit, si dhe fshatrat Kodër Lume e Bozhe kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
Ujësjellësi i Lojmes është i ndërtuar në afërsi të fshatit me të njëjtin emër. Fshati Lojme i është nënshtruar rrëshqitjeve të herëpashershme të tokës duke detyruar shumicën e banorëve të këtij fshati që ta braktisin atë.
Ujësjellësi i Lojmes është ndërtuar në vitin 1999 me fondet e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe me një vlerë prej 600 mijë dollarësh, si dhuratë për popullin e Kukësit për menaxhimin e krizës kosovare.
Në shtator të vitit 2008 ky ujësjellës u bë viktimë e një atentati me tritol nga persona ende të paidentifikuar. Specialistët e Antiterrorit shoqëruan asokohe në polici rreth 10 vetë, midis tyre dy rojet e objektit që pasi u morën në pyetje, u liruan.
*****************8
Pronat, banorët kërkojnë dëmshpërblimin
TROPOJË- Banorët e fshatit Cerrnicë të komunës Llugaj prej vitesh janë në konflikt pronësie me komunën dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, pasi kjo e fundit nuk u ka lëshuar certifikatat e pronësisë për tokën e përfituar si punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore. Toka u është shpërndarë banorëve në pronësi sipas ligjit dhe kanë përfituar nga mbi 1700 m2 për frymë nga privatizimi i NB-së.
Këta banorë të ish-ndërmarrjes bujqësore janë të ardhur nga zona të ndryshme të Tropojës, kryesisht nga Lekbibaj dhe disa fshatra të Pukës. Mirëpo, komuna Llugaj dhe Zyra e Regjistrimit nuk ua njeh si pronë të tyren, e për pasojë nuk u janë lëshuar certifikatat e pronësisë 40 familjeve që kërkojnë dëmshpërblimin e tokës së dëmtuar nga ndërtimi i aksit rrugor Fierzë-Sopot. Disa herë kanë kërkuar të drejtën e dëmshpërblimit, por deri më tani kërkesat e tyre nuk janë pranuar.
Gjovalin Nikolla, banor i fshatit, biznesmen dhe këshilltar, thotë për "Shekullin" se banorët kanë kërkuar herë pas herë një të drejtë të ligjshme, por askush nuk është marrë me zgjidhjen e këtij problemi.
"Edhe unë, - sqaron Gjovalini, - kam kërkuar në çdo instancë shtetërore njohjen e tokave banorëve të fshatit, por ndonëse nga kryeministri e deri te prefekti janë dhënë porosi për t'u zgjidhur ky problem, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona".
Ai thotë se ka një dosje të mbushur me shkresa për këtë problem. "Kërkojmë dëmshpërblimin e tokës bujqësore, ose në të kundërt do bllokojmë rrugën nacionale deri në zgjidhjen e kërkesës sonë", shprehen banorët.