Ish- peshkatari: si i shitëm "Lagunën" Bares
DËSHMIA:
Llambi Ndini: Për lagunën morëm nga 600 mijë lekë të vjetra nga Alfred Shkurti
TIRANË- Seanca e 72 gjyqësore ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Aldo Bares, vazhdoi dje pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda me dëshminë e peshkatarit të "Lagunës së Karavastas" shtetasit Llambi Ndini. I thirrur me cilësinë e dëshmitarit të akuzës, peshkatari Ndini deklaroi para gjykatës për shitjen e "aksioneve" të tij bashkë me 89 bashkëpunëtorëve të tij tek kreu i "bandës" së Lushnjës Alfred Shkurti, i njohur ndryshe edhe me emrin Aldo Bare në vitin 1998. "Prej gati 25 viteve punoj pranë Lagunës së Karavastasë.
Ku fillimisht, para viteve 1990 punoja si roje, ndërsa me hyrjen e demokracisë të gjithë punonjësit që ishim rreth 90 i blemë të gjitha materialet e Lagunës duke u bërë bashkëpronarë dhe fillova të punoj si peshkatar. Ne punonim për çdo ditë dhe merrnim të ardhurat e punës së peshkimit.
Në vitin 1998 kur kishin plasur trazirat dhe ne po e ruanim dhe po punonim në Lagunë bashkë me punonjësit e tjerë që ishim aty, drejtori i zgjedhur në atë kohë nga vetë ne punëtorët, Tahir Zela, erdhi bashkë me një notere dhe na tha që të firmosnim. Realisht kishim shumë shqetësime dhe frikë, por, drejtori Zela na tha se firmosni këtu për të marrë nga 600 mijë lekë të vjetra se Lagunën do ta marrë Aldo Bare.
Të gjithë ne bashkëpunëtorët e Lagunës firmosëm, i morëm lekët dhe kështu ia shitëm Lagunën e Karavastasë Aldo Bares. Që nga ajo ditë nuk jemi më bashkëpronarë, pasi atë e mori Aldo Bare",-ka nënvizuar Ndini, duke shtuar se "nuk ishim të detyruar me dhunë të firmosnim". Gjithashtu, ai ka shtuar se në atë kohë, pas blerjes së Lagunës gjithçka eci normal, paguheshim me rregull për punën dhe nuk kishim problem.
Pas mbarimit të dëshmisë së tij, njëri nga avokatët e pranishëm në sallën e gjyqit, u ngrit dhe u largua nga salla e gjyqit me pretendimin se kishte një gjyq tjetër, duke bërë që seanca e djeshme të ndërpritet për të vazhduar javën tjetër. Me largimin e avokatit të njërit nga të pandehurit, dëshmitarët e tjerë të ardhur nga Lushnja u detyruan të kthehen mbrapsht për të ardhur sërish javën tjetër.
Në këtë proces gjyqësor, prokuroria akuzon të pandehurit: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina, ndaj të cilëve rëndojnë një sërë akuzash të rënda, që nga vrasja e deri tek armëmbajtja pa leje.
KLD:
Fatmira Hajdari, do gjykojë Aldo Baren
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë caktoi vetëm pak ditë më parë pesë gjyqtaret e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet për të gjykuar të akuzuarin si kreu i "bandës" së Lushnjës, të pandehurin Alo Bare.
Shkak për caktimin e pesë gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës, është bërë konsumimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda të cilët kanë gjykuar deri më tani 5 dosje të ndryshme me të pandehur të "bandës" së Lushnjës.
Pas përcaktimit të pesë gjyqtarëve Artan Broci, Kreshnik Omari, Sokol Tona, Altin Abdiu dhe Fatmira Hajdari gjatë ditës së djeshme u vendos me short se relatore e kësaj dosjeje do të jetë gjyqtarja Hajdari, e veja e pishtarit të demokracisë Azem Hajdari.
Pritet që në ditët në vazhdim, kjo trupë gjykuese të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore në ngarkim të Aldo Bares, i akuzuar për pesë vrasje të kryera në kuadër të "bandës" së tij.