SHBA, thirrje për zgjedhje paqësore
Ambasadori gjerman tha në Elbasan se elementi kryesor për integrimin mbeten zgjedhjet
TIRANË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë, që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët, që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor.
Në një deklaratë zyrtare të Ambasadës amerikane në Tiranë, thuhet se SHBA shpresojnë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Ndërkohë, gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan, Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, ka deklaruar se, pavarësisht se cila forcë politike shpallet fituese, elementi më i rëndësishëm janë zgjedhjet. Këto zgjedhje, sipas tij, ose e kthejnë prapa dhe e shtyjnë afatin e negociatave, ose e afrojnë. Borchardt tha gjithashtu se zgjerimi i BE-së është një problem më vete dhe lidhet edhe me Referendumin e Islandës për Traktatin e Lisbonës.
Ai e përmendi këtë fakt, duke shtuar edhe progresraportin e Bashkimit Evropian në fundin e vitit, për të dhënë vlerësimin mbi Shqipërinë. Evropa, tha ai, po tregohet shumë e matur kundrejt zgjerimit, pasi nuk mund të hasen të njëjtat probleme si ndodhi me Rumaninë e Bullgarinë të cilat, sipas tij, nuk i kishin plotësuar standardet cilësisht.
Ai sqaroi edhe një herë se kushdo që do të fitojë zgjedhjet, vendet e BE-së do të bashkëpunojnë në rast se qeveria fituese do të vazhdojë reformat për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Komunitetin Evropian, bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.