Kapet kinezi i kërkuar për vjedhje bankash
Lei Shen i kërkuar për vjedhje dhe flasifikim në dëm të bankave në Kinë, u kap në aroportin e Rinasit tek tentote të udhëtonte për në Itali
I arrestuari ishte në kërkim ndërkombëtar prej pak ditësh, që kur ishte zbuluar se ai ishte larguar jashtë vendit të tij
TIRANË- Arrestohet në Rinas, ndërsa përgatitej të udhëtonte për në Itali, kinezi i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim me bankat kineze. Lei Shen, 35 vjeç nga Kina, prej disa ditësh i shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë kineze, prej më pak se një jave u kap në Rinas ndërsa tentonte të largohej me linjën ajrore "ALITALIA", në drejtim të Italisë.
Lajmin e bënë të ditur burime të policisë së aeroportit të Rinasit të cilët pohuan se kinezi, kishte mbërritur në Tiranë prej disa ditësh, ndërsa ndodhej në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e këtij vendi me akuzën e mashtrimit dhe vjedhjes nëpërmjet mashtrimit.
Kinezi që strehohej në Shqipëri për t'i shpëtuar arrestimit në vendin e tij, është kapur dje rreth orës 11 40 minuta, në momentin kur po kryente procedurën e kontrollit të dokumentacionit, në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", për të udhëtuar në drejtim të Italisë.
I arrestuari me kombësi kineze ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me anë të mashtrimit të disa filialeve të bankave në Kinë. Në momentin e arrestimit aziatiku, është kapur me një pasaportë kineze në emrin e tij, sipas burimeve të policisë sapo i është komunikuar se ishte në gjendje arresti pasi rezultonte se ishte në kërkim dhe është nisur në drejtim të komisariatit të policisë së aeroportit, ai ka pranuar këtë fakt.
Ndërkaq, gjatë marrjes së tij në pyetje, ku i është komunikuar arresti, 35- vjeçari kinez ka pranuar se ishte i akuzuar, nga hetuesit kinezë. Edhe pse ka pranuar se ishte personi në kërkim, të cilit policia e aeroportit i posedonte edhe foton dhe të dhënat e sakta, ka shprehur habinë për saktësinë e të dhënave që zbulonin atë.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Policisë Shqiptare, vjedhjet 35- vjeçari i ka realizuar duke falsifikuar dokumente, duke shfrytëzuar dhe punën si menaxher shërbimi në një nga filialet e Bankës së Kinës. Sipas disa të dhënave nga Policia, nuk dihet se sa është shuma që ka përfituar Shen gjatë kohës që ka realizuar vjedhjet në filialet e bankave në Kinë.
Një kontroll i imtësishëm i ekspertëve të Policisë Kufitare në Komisariatin e Rinasit, ka sjellë dhe zbulimin e faktit se Lei Shen kërkohej ndërkombëtarisht pas një urdhri lëshuar nga drejtësia kineze për arrestimin e tij.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, 35 vjeçari nga Kina, nuk ishte identifikuar nga Policia Shqiptare si person që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por identifikimi është bërë i mundur vetëm në momentet që ky i fundit po tentonte të largohej në Itali nëpërmjet linjës ajrore Alitalia në Rinas. Gjatë kohës që po kryente veprimet për të udhëtuar më pas nëpërmjet linjës ajrore, është arrestuar.
Policia nuk ka bërë të ditur kohën kur ka depërtuar në Shqipëri i kërkuari për vjedhje me anë të mashtrimit, por ka pohuar se arrestimi i tij është bërë vetëm në bazë të një urdhri arresti lëshuar nga autoritetet kineze për arrestimin e të dyshuarit për vjedhje dhe falsifikim njëkohësisht. Pas arrestimit nga Policia Shqiptare, i arrestuari i djeshëm në Rinas do t'i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë kineze për veprime të mëtejshme.
Arrestohet italiani me dokumente të falsifikuara
TIRANË-Një shtetas italian është arrestuar dje nga Policia e Rinasit, pasi është kapur duke tentuar të largohet drejt vendit të tij me dokumente të falsifikuara. Gjatë kontrollit në momentet që ky i fundit ishte bërë gati për të vajtur në Itali, i është gjetur një patentë italiane e falsifikuar.
Sipas të dhënave, punonjësit ë Policisë së Rinasit kanë dyshuar për vërtetësinë e lejes së drejtimit të automjeteve që mbante italiani, duke e arrestuar për falsifikim të dokumenteve. I arrestuari ka tentuar që të udhëtojë nëpërmjet linjës ajrore me dokumentin e falsifikuar, por është ndaluar nga Policia për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Policia po heton nëse i arrestuari është person me precedentë penale dhe nëse ka përdorur dokumente të tjerë të falsifikuar gjatë qëndrimit në Shqipëri.