Misioni PAMECA III: Policia e paaftë dhe e korruptuar
Projekt-raporti: Strukturat e rendit skanë informacion minimal për krimin.
Misioni policor PAMECA III gjen mangësi serioze në gjendjen e Policisë shqiptare në fushën e hetimit dhe goditjes së krimit të organizuar. Në një draft-raport të këtij misioni, thuhet se paaftësia, mungesa e bazës teknike dhe mjeteve si dhe korrupsioni, influenca e politikës, ndërhyrjet nga persona me pushtet dhe niveli i ulët i pagave, janë pengesë në rezultatet e policisë. Problematike konsiderohet gjendja edhe në strukturat e Policisë Rrugore. Misioni i asistencës policore të Komunitetit Europian në Shqipëri, PAMECA III, ka hartuar një projekt-raport paraprak mbi ecurinë e veprimtarisë së Policisë së Shtetit, në të cilin analizohen pikat e forta e të dobëta, mundësitë dhe rreziqet e policisë. Në një raport paraprak prej 123 faqesh, mbi analizën e periudhës maj-nëntor 2011 dhe pritshmëritë për fazën e dytë të raportimit nëntor 2011-maj 2012, ekspertët e PAMECA III kanë analizuar punën e Policisë së Shtetit lidhur me katër komponentë kryesorë. Projekti është i ndarë në komponentin e Rendit dhe Sigurisë Publike; Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; Menaxhimin e Integruar të Kufijve dhe Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar. Ky raport është një prej disa projekteve që do të vihen në zbatim si pjesë e Strategjisë së Trajnimit dhe Planit të Veprimit për periudhën 2011-2016.
KRIMI I ORGANIZUAR
Një komponent i analizuar me hollësi në projekt-raportin e PAMECA III është Krimi i Organizuar. Një prej pikave të dobëta të hetimit të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar është mungesa e një drejtorie për informacionin që mund të marrë përgjegjësi për mbledhjen dhe kontrollin e informacioneve. Procesi i mbledhjes së informacionit nuk është eficient dhe nuk siguron sasinë e informacioneve që kërkohen. Përjashtim në këtë rast bën vetëm Drejtoria e Policisë së Durrësit, që ka informacione mjaft të vlefshme, thuhet në raportin e PAMECA-s. Veç logjistikës së nevojshme, aparaturave dhe burimeve njerëzore, sipas raportit të PAMECA-s, një prej pikave të dobëta është edhe mungesa e dëshirës së shefave për të siguruar një furnizim të rregullt dhe në rritje me informacione nga punonjësit e policisë me uniformë, si dhe nga specialistët e strukturave të hetimit. Gjithashtu janë konstatuar edhe mangësi në njohuritë mbi provat shkencore. Një problem tjetër madhor vazhdon të jetë edhe ndarja jo e drejtë e punës mes specialistëve, duke qenë se një pjesë e oficerëve mbajnë ngarkesën kryesore të punës, si dhe kapacitetet e pamjaftueshme të provave të ADN-së. Gjithashtu kohëzgjatja e këqyrjes së vendngjarjes, sigurimi i informacioneve të nevojshme dhe kthimi i tyre në prova, vazhdon të mbetet një problem madhor i hetimit të krimeve. Ndërsa në raport sugjerohet ngritja e një strukture të përbashkët Task-Forcë kundër Krimit të Organizuar, e cila do të rriste kapacitetet për të zhvilluar operacione policore proaktive, efektive, që udhëhiqen nga informacioni i përpunuar (kthimin e informacioneve të mbledhura nga hetimet, në prova mjaft të forta për tu përdorur në gjykata).
POLICIA RRUGORE
Gjatë procesit të reformimit të Policisë Rrugore, fillimisht ndarjen e saj si Njësi më vete, duke u varur nga një Drejtori qendrore, më pas kalimin në varësi të Drejtorisë së Qarkut, u evidentuan disa probleme në sektorin e qarkullimit. Këshilltari i Policisë Rrugore vuri re vështirësi në bashkëpunimin midis drejtorive të Policisë në qarqe me shërbimin e patrullës së përgjithshme dhe Policisë Rrugore. Strukturat e tjera të Policisë së Shtetit nuk e asistuan Drejtorinë e Policisë Rrugore dhe njësitë vartëse në qarqe. Kjo solli probleme për menaxhimin e trafikut urban edhe në rrugët interurbane dytësore, dhe statistikat treguan një rritje të lartë të aksidenteve rrugore në këto zona. Njësia për Kontrollin e Autostradave u trajnua nga PAMECA për mënyrën se si duhet të bëhet një pikë kontrolli në autostradë sipas modelit që përdorin vendet anëtare në Shengen. Këto pika kontrolli në autostradë mund të bëhen edhe në bashkëpunim me policinë kufitare ose kriminale (për të identifikuar automjete të vjedhura, lëndë narkotike, persona në kërkim etj.)
Çfarë është raporti i PAMECA
Një nga objektivat e raport-progresit të misionit PAMECA III është që të japë shërbime shtesë për të arritur standardet e BE në fushat e Rendit Publik, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe të Hetimit të Krimeve të Rënda e Krimit të Organizuar. Gjithashtu në këtë raport përfshihet një koordinim i mëtejshëm me projektet e tjera (kryesisht ato projekte që lidhen me parandalimin dhe luftën ndaj Pastrimit të Parave, me luftën ndaj Korrupsionit, me Projektet Binjakëzuese të Administratës së Shërbimit Doganor etj.) për të reflektuar konkluzionet e opinionit të BE, si dhe për të mbështetur përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve në fushat ku janë identifikuar mangësitë.
Provat e ADN-së, laboratori peng i fondeve
Një prej provave më të rëndësishme, ajo e ADN-së, vazhdon të mos përdoret nga Policia e Shtetit shqiptar për shkak të mungesës së fondeve dhe kapaciteteve të pamjaftueshme. Deri më sot nuk janë siguruar fonde nga donatorë të jashtëm për të zhvilluar trajnime për rritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës së punonjësve të Drejtorisë së Policisë Shkencore në fushën e ADN-së, thuhet të raportin e misionit PAMECA III. Megjithatë, në raport theksohet se ekziston një mundësi për mbërritjen në Shqipëri të një eksperti të trajnuar siç duhet për ekzaminimin e provës së ADN-së, megjithëse mbërritja e tij në Shqipëri mbahet pezull pikërisht nga mungesa e fondeve. Një burim fondesh u identifikua nga ekspertët e misionit PAMECA III, sidoqoftë për shkak të ndryshimit të personelit në organizatën donatore, kjo ofertë për dhënie fondesh u tërhoq. Është identifikuar një ekspert nga Mbretëria e Bashkuar, i trajnuar si duhet për ta përfunduar punën në këtë komponent të rëndësishëm, por deri sa të zgjidhet çështja e fondeve, kjo punë do të shtyhet, thuhet në raport. Deri tani duket se kapacitetet për provat e ADN-së janë të pamjaftueshme.
Kritikat
PIKAT E DOBETA TE POLICISE RRUGORE1. Ndërhyrje politike gjatë fazës së zbatimit të ligjit
2. Mbështetje dhe asistencë e ulët nga Drejtoritë e Policisë në qarqe
3. Emërimi i punonjësve të pakualifikuar në Policinë Rrugore (për miqësi, biznes)
4. Nivel i pamjaftueshëm leksionesh për policinë rrugore
5. Korrupsion
6. Nivel i ulët pagesash
7. Mungesë pajisjesh teknike për specialistët
8. Influencë politike dhe ndërhyrje nga personat me pushtet
9. Infrastrukturë e dobëtPIKAT E DOBETA TE KRIMEVE TE RENDA E KRIMIT TE ORGANIZUAR
1. Mungesa e një drejtorie për informacionin e përpunuar
2. Mungesa e kompjuterëve për punonjësit e policisë për lidhjet me sistemin Memex
3. Mungesa e dëshirës së shefave për të siguruar një furnizim të rregullt me informacione nga punonjësit e policisë me uniformë si dhe nga specialistët e strukturave të hetimit
4. Mangësi në njohuritë mbi provat shkencore
5. Kapacitete të pamjaftueshme për provat e ADN-së
6. Ndarja jo e drejtë e punës ndër specialistë
7. Mungesa e rekrutimeve të punonjësve civilë që kanë njohuri në fusha të caktuara të shkencës dhe teknikës
8. Mungesë fondesh në Drejtorinë e Policisë Shkencore
9. Motivimi i dobët dhe trajtimi financiar jo në nivelet e duhura
ETLEVA DELIA