E Diel, 1 Nëntor 2026

Si ma shpëtuan vëllain mjekët e Djegie-Plastikës

Ndodh shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë, që pacientët apo të afërmit e tyre të mbeten më shumë se të kënaqur nga shërbimi shëndetësor. Por në drejtorinë e spitalit "Nënë Tereza", përveç ankesave, mbërrijnë edhe falënderime, letra ku shprehet mirënjohje dhe urime për shërbimin spitalor, për kujdesin e mjekëve ndaj pacientëve dhe në mënyrë të veçantë për humanizmin e tyre.

Një pacient me djegie të thellë në fytyrë, vesh e duar, ndodhet i shtruar prej dy javësh në shërbimin e Djegie-Plastikës.

Atje ai ka marrë ndihmën e nevojshme, kujdes psikologjik dhe shpresë për përmirësim të mëtejshëm. Ky pacient, dhe pse i ri në moshë, ka pasur djegie të thella dhe të vështira. Familjarët e tij dhe të afërmit janë alarmuar dhe përveç shpresës te Zoti dhe qetësisë së lutjeve, kanë gjetur mbështetje dhe te trupa mjekësore. E motra e pacientit ka ardhur menjëherë nga Gjermania për t‘i ndenjur pranë vëllait të saj dhe për të paguar të gjitha shpenzimet që do të nevojiteshin për trajtimin e tij.

"Erdha menjëherë me avionin e parë, sapo mora vesh për vëllain, isha tepër e shqetësuar, dhe veç kësaj, nuk dija se sa do të më shkonte shpenzimi. Jashtë vendit ata që nuk kanë sigurime paguajnë në sistemin spitalor", tregon Frosina Koçi, motra e pacientit të djegur aksidentalisht me benzinë. Vëllai i saj duhet të qëndrojë në spital të paktën edhe për dy muaj të tjerë, por ajo dhe të afërmit e pacientit Robert Sema u janë mirënjohës punonjësve të shëndetësisë dhe në mënyrë të veçantë mjekëve të shërbimit të Djegie-Plastikës. "Jemi mirënjohës, i falënderojmë me gjithë zemër mjekët për kujdesin, për këshillat dhe fjalët e mira, falënderojmë infermierët për korrektesën dhe shërbimin teknik dhe higjienën. Njeriu duhet të jetë mirënjohës. Jam e bindur se në Shqipëri ka mjekë të mirë, ka njerëz me shpirt të mirë, të cilët ndihmojnë qytetarët, pacientët edhe pa kurrfarë interesi apo pagese. Për këtë mendoj se letra e falënderimit ishte minimumi që mund të bënim për trupën spitalore dhe drejtuesit e shërbimit", tha Koçi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›