E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-Sekretarin e Mbrojtjes, Rumsfeld: Do të doja që ne të kishim pasur një taksë të tillë, të sheshtë prej 10 përqind

18-06-2013 / Gazeta 55

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha dhe ish Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld me ushtarakë, ish-ushtarakë dhe studentë

Berisha: Anëtarësimi në NATO, pas shpalljes së Pavarësisë, ka qenë akti më madhor në historinë tonë kombëtare

Kryeministri Berisha sëbashku me ish Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald  Rumsfeld zhvilluan në mesditën e djeshme një bashkëbisedim me ushtarakë, ish ushtarakë dhe studentë shqiptarë lidhur me rolin dhe kontributin e Shqipërisë në sigurinë e komunitetit euro-atlantik dhe paqen në botë. Në fjalën e tij, në fillim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh: “Sot kemi këtu një nga miqtë më të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, por edhe një nga promotorët më të mëdhenj të lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga strategët e paqes dhe sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë, ish Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld.  Zoti Sekretar, ne jemi shumë të nderuar dhe shumë krenar që ju jeni sot këtu, në Shqipëri. Kjo është vizita juaj e tretë në Shqipëri dhe natyrisht, kësaj radhe vizita juaj në Shqipëri ka qëllime të tjera. Ju garantoj se për ne mbeteni gjithnjë një nga miqtë më të shquar tanët; mbeteni një personalitet i madh për të cilin ne kemi mirënjohjen më të thellë. Unë jam dëshmitar i ndihmës shumë të madhe që ju personalisht dhe administrata e Presidentit Bush i dhatë Shqipërisë në përpjekën e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Anëtarësimi në NATO, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë akti më madhor në historinë tonë kombëtare. Unë e vlerësova shumë vendimin e Presidentit të Republikës për t’ju dekoruar ju me “Urdhrin e Flamurit”. Për ne shqiptarët flamuri është kulti më suprem. Ne atë kemi gjënë më të lartë dhe ky ishte një dekorim plotësisht i merituar i një miku që aq vendosmërisht na ndihmoi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si një Aleancë vlerash, si një Aleancë paqeje dhe sigurie, si një Aleancë që këto 20 vite historia e dha që të përdorte forcën e saj në mbrojtje të lirive dhe të  drejtave njerëzore për herë të parë në Kosovë, për të çliruar shqiptarët”, deklaroi kryeministri Berisha. Sipas tij,  sekretari Rumsfeld është promotor i lirisë në vendin e tij dhe kudo në botë. Ai është promotor i aktit të madh të lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktë janë njerëzit mbi tokë që ndodh të lahen dy herë në ujërat e të njëjtit lumë. Sekretari Rumsfeld vjen këtu sot si ish Sekretari i 13-të dhe i 21-të i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka edhe një moment tjetër shumë të rëndësishëm.  Nën udhëheqjen e Presidentit Bush në drejtim të Pentagonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës larguan me forcë dy nga diktatorët më të egër, më të shëmtuar të kohërave, më barbarët, më mizorët, Mulla Omarin dhe Sadam Hysein. Nga ana e tij, ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald  Rumsfeld falënderoi kryeministrin Berisha dhe Forcat e armatosura për gjithçka që kanë bërë. “Është gjithmonë privilegj i posaçëm të jesh me njerëz me uniformë, të kesh mundësi të shprehësh mendime dhe dua të shpreh vlerësimin tim jo vetëm për kontributet tuaja në Afganistan dhe në Irak, por edhe për vendin tuaj”, theksoi ai. Sipas tij, çdo vend ka rrugën e tij. Kryeministri Berisha përmendi NATO-n dhe rëndësinë e saj në ditët e sotme, e cila është një Aleancë vlerash të përbashkëta, ku njerëzit që mendojnë njësoj punojnë sëbashku dhe e shikojnë botën sëbashku, kuptojnë që çfarë bëjnë e bëjnë me vendet e tjera. Ashtu ndihen amerikanët për shqiptarët dhe e vlerësojmë shumë atë bashkëpunim”, theksoi ai.
-Pyetje: Kam një pyetje për kryeministrin Berisha. Gjatë  tetë viteve të qeverisjes suaj, Shqipëria ka njohur arritje të rëndësishme dhe të prekshme për të gjithë ne, në politikën e saj të jashtme dhe në marrëdhëniet  me vendet e BE. Duke filluar që me anëtarësimin në NATO, marrëveshjeve  e stabilizim-asociimit, lëvizjen e lirë pa viza. Cilat janë beneficet që ka pasur vendi ynë  qoftë ën siguri, në zhvillimin ekonomik-tregtarë, në lëvizjen e lirë qoftë edhe ne gjeopolitikën rajonale dhe botërore?
-Kryeministri Berisha: Dy momente dua të theksoj në këtë mes. Së pari, unë theksova se Shqipëria u rrit 11 herë, por përveç shfrytëzimit  nga ana e shqiptarëve të lirisë, faktor tjetër madhor ka qenë  solidariteti ndërkombëtar, ndihma  e jashtëzakonshme që vendet mike dhe partnere i kanë dhënë Shqipërisë. Një solidaritet i pa precedent në tërë historinë tonë. SHBA, BE, Italia, Gjermania dhe shumë e shumë vende të tjera. Së dyti, anëtarësimi në NATO, përbën pasaportën më të shkëlqyer të sigurisë  për investitorët e huaj. Ne në vitin 2006-2007 kemi marrë 300 milion euro investime, katër vitet e fundit ne kulmin e krizës, ne kemi marrë çdo vit mbi 1 miliard investime dhe këtu absolutisht është besimi që ngjall Shqipëria, për shkak të qenies  së saj anëtare e NATO-s. Natyrisht Shqipëria ka bërë përpjekjen e vet, të luajë rolin që i takon si anëtare e aleancës. Ne jemi në Afganistan ku është një front i nxehtë dhe në proporcion jemi në nivelet më të larta për frymë dhe në GDP. Njësitë tona kanë operuar në zonat ndër më të nxehta të Afganistanit, krah për krah me njësitë e specializuara të SHBA. Ne besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë  në NATO së bashku me Kroacinë ka bërë rajonin më të sigurt dhe shpresojmë së shpejti edhe vendet e tjera. Pra Shqipëria sheh rrolin  e saj modest në kuadrin e paqes dhe sigurisë globale, ne kuadrin e aleancës së Atlantikut të Veriut.
-Ish-Ushtarak: Faleminderit z. Sekretar për diskutimin shumë të lirshëm me neve. Si ish ushtarak do të doja të dija diçka më tepër  në lidhje me opinionin se NATO ka nevojë për një armik për të qene i unifikuar për të qenë e bashkuar përball kampit socialist?
-Sekretari Rumsfeld: Nëse shikojmë vitet e parë të NATO, që është aleanca më e gjatë në histori, dhe të sugjerojmë nëse do ishte ndryshe, sepse ka patur një armik, Bashkimi Sovjetik. Unë do të thosha që nuk ishte ndryshe, ka pasur ndasi në NATO  gjatë asaj periudhe. Nëse shikojmë prapa ka patur periudha kur eurokomunizmi  ishte më shumë në modë, ai ishte komunizmi i mirë, ka patur këmbëngulje nga njerëzit në të gjitha ata vende, në një periudhe të qëndrueshme që lidershipi politik në partitë politike të vendet tona, dhe në vendet NATO, në fakt këmbëngulja fitoi. Por ka pasur ndasi, ka patur ndryshime, në vend që të përdor fjalën armik do të përdorja fjalën sfida dhe do të thoja se sfidat sot janë reale, serioze, është e vërtetë nuk ka Bashkim Sovjetik, por rrezikshmëria e armëve sot  është shumë herë më i madh sesa ka qenë dekada më para. Çka do të thotë se niveli i gabueshmërisë nga drejtuesit politik në botës është shumë më i vogël
-Ministri Mediu: Zoti Kryeministër , meqë këtu kemi një që ka punuar me Presidentin Regan dhe ju i referoheni shpesh presidentit Regan, do të doja një konfrontim përsa i përket lirisë së tregut , sidomos në këndvështrimin që ju keni për të mbështetur biznesin nëpërmjet taksës së sheshtë?
-Kryeministri Berisha: Ndër të gjitha vendet ish komuniste, Shqipëria filloi si një vend, si vendi i tretë më i varfër  në planet pas Ugandës dhe Angolës, flas 20 vjet përpara. Shqipëria sot është nga të paktat vende në të cilat në 21 vite ka rritur 11 herë prodhimin e saj të brendshëm, GDP. Kam bindjen më të thellë se përpjekjet  për të zgjeruar dhe respektuar lirinë ekonomike, kanë qenë vendimtarë. Sekretari Rumsfeld, ditën që unë jam bërë President i Republikës,  kam qenë kardiolog dhe njohuritë e mia ekonomike ishin ndër me rudimentaret, por në tërësi këto ishin edhe njohuritë e stafit tim, një staf i shkëlqyer me një vullnet të hekurt për të mësuar. Në Shqipëri dhe në shumë vende Presidenti Regan ishte një idhull për qëndrimet e tij antikomuniste dhe unë kisha librat e tij, njëri prej  tyre një libër shumë i vogël, me copëza fjalimesh për ekonominë. 3 kanë qenë mësimet më të mëdha për mua nga Presidenti Regan, së pari paratë në kontot e qytetarëve janë më të vlefshme sesa në arkën publike dhe bazuar në këtë princip, në Shqipëri u vendosën taksat më të ulëta që mund të ekzistonin. Shqipëria për atë kohë u shndërrua në vendin e vetëm përveç  Norvegjisë me rritje dy shifrore ekonomike. E dyta, Regan thotë është mëkat  të përpiqesh të shërosh industritë e sëmura, Shqipëria dhe qeveria e saj nuk bëri asnjë përpjekje për të ripërtërirë teknologjitë e kohërave të vjetra, vendi u përball me një situatë pothuaj katastrofe, pasi papunësia ishte gati 80 përqind, por nëpërmjet privatizimeve dhe ndarjes së tokës, situata filloi të ndryshojë me shpejtësi, të ardhurat për frymë nga 204 dollarë, sepse unë jam ulur në Shtëpinë e Bardhë pranë oxhakut me Presidentin George Bush, dhe isha një president me 16 dollarë rrugë në muaj, kjo ishte gjendja  e vendit tim. Të ardhurat u rritën vit për vit, nga 204 në 820 dollarë. Kalova në opozitë u riktheva sërish në pushtet, përsëri taksat e ulëta.
-Sekretari Rumsfeld: Do të doja që ne të kishim pasur një taksë të tillë të sheshtë prej 10 përqind. Çdo vit kur dërgoj taksat, i dërgoj një shënim, shërbimit të brendshëm të të ardhurave, i them “i dashur zonjë ose zotëri, këto janë taksat e mia, nuk e kam idenë fare nëse janë të sakta apo jo, sepse janë shumë të komplikuara për mua , mundohem të kuptoj sesi funksionon shërbimi i taksave, nëse keni pyetje më telefononi.” Ne do të kishim qenë shumë më mirë, shumë mirë për ju.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›