E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Elbasani do të jetë epiqendër e investimeve të mëdha

18-06-2013 / Gazeta 55

Gjatë një takimi me banorë të komunës Bradashesh të qytetit të Elbasanit, kreu i fushatës elektorale ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i shoqëruar nga kandidati për deputet Luçiano Boçi, e ka vënë thjeksin tek investimet që janë realizuar në Bradashesh, duke u ndalur tek rruga e re me tunel e cila kalon në Bradashesh, si edhe linja e interkonjeksionit të energjisë që kalojnë sërisht në Bradashesh. “Kemi punuar gjatë të gjithë këtyre viteve për të përmirësuar jetën e qytetarëve të shqipërisë kudo që jetojnë, kemi bërë shkolla po aq të mira këtu, në Elbasan, e kudo tjetër. Qëndra shëndetësore, spitale, këto ditë do të inagurojmë edhe spitalin e ri kirurgjik këtu në Elbasan, kemi instaluar falas internetin në çdo shkollë, ndërkohë që para tetë vitesh nuk kishte asnjë investim i tillë”, tha Imami. Ai shtoi se “do të punojmë më shumë për punësimin, rruga e re sjell punë për Bradasheshin, për Elbasanin. Të jeni të sigurtë që investime të reja të mëdha do të vijnë në Elbasan, një nga ata sapo ka ardhur, Hidrocentralet e Devollit fare afër prej këtu do të punësojnë më shumë se 15 mijë njerëz, kjo është një e ardhme shumë e mirë, sepse për ju mendon kryeministri i vendit Sali Berisha”, tha Imami.
Duke kujtuar mungesën e energjisë elektrike, çmimet e larta të internetit dhe telefonave celularë para viteve 2005 Imami tha se, “të gjitha këto janë mjete komunikimi dhe që sjellin më shumë punë më shumë zhvillim”. Ai ftoi banorët e fshatit Bradashesh që të votojnë kryeministrin Sali Berisha për rezultatet që ka sjellë gjatë tetë viteve, duke rritur rrogat e pensionet. Kur ka pasur komuniteti rom dhe egjiptian mbështetje më të madhe se këto vite? Dhe ne do të vazhdojmë, sepse ne ju jeni qytetarë të këtij vendi”, tha Imami.
Ai kujtoi edhe arritjet e qeverisë gjatë këtyre viteve si liberalizimi i vizave ku bëri të mundur lëvizjen e lirë të qytetarëve drejt Europës. Imami premtoi banorët e kësaj zone për strehim, duke dhënë fjalën se edhe ai vetë do ta ndihmojë këtë komunitet, ndërsa vlerësoi investimet e 80 kilometrave rrugë të kësaj komune, si edhe kreun e saj Sabri Sollakun për këto investime. Bllokimi i integrimit nga opozita dhe Edi Rama për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE bllokoi edhe zhvillimin në vend, që do të thotë më shumë programe, më shumë para, për banesa, bujqësi etj, pasi Edi Rama nuk e do këtë, sepse ai dhe shokët e tij e kanë pasur pasaportën edhe në kohë tjetër, atij nuk i prishet terezia. Por a duam të kemi një vend anëtar të BE, prandaj jo rrugës së bllokimit, jo cunave të bllokut, por një rrugë drejt integrimit”, përfundoi Imami.
S’do ndalemi pa përfunduar të gjithë rrugët e vendit në qytet, fshat, në zona rurale dhe malore/Kreu i listës së kandidatëve të PD, në qarkun e Elbasanit, Arben Imami ka vijuar turin e takimit të tij në komunën Shushicë i shoqëruar nga kandidati për deputet në këtë zonë Aurel Bylykbashi. Kandidati i PD, Bylykbashi duke u ndalur tek inagurimi i veprës më të madhe publike asaj të autostradës Elbasan-Tiranë dhe tunelit të Krrabës, ftoi të gjithë banorët e zonës së Shushicës që t’i bashkohen këtij treni të madh të zhvillimit dhe të vazhdojnë të votojnë Partinë Demokratike sepse edhe dy projektet, ai i Boshtit të Jugut si edhe Qukës – Qafë Plloçë do ta kthejë Elbasanin në një nga polet më të rëndësishme të aksit Durrës – Tiranë - Elbasan, duke e kthyer Elbasanin në kohën e lavdisë së dikurshme. “Unë do të jem deputet i këtyre komunave, dhe deputet i Shushicës, premtimet e mia do të jenë këto, do të punoj për zonën, kryetari i komunës i cili në dijeninë time e ka të katërtën herë që fiton, t’i përvishet punës dhe të hartojë projekte, do të mbështes çdo kapacitet intelektual për të rinjtë e zonës, do ti mbështes ato si një njeri i afërt, kartoni im nuk do të ketë lëkundje në mbështetjen e zhvillimit, integrimit, dhe ndryshimit të shqipërisë”- tha Bylykbashi. Nga ana e tij, kreu i kandidatëve të PD, Arben Imami u ndal tek ato që ka arritur qeveria gjatë këtyre viteve, duke u ndalur dhe tek kritikat e opozitës në lidhje me rrugët e ndërtuar nga qeveria, ai u shpreh se, ne nuk do të ndalemi pa përfunduar të gjithë rrugët e vendit në qytet, fshat, në zona rurale dhe malore. “Kanë filluar disa punime të parat edhe në komunën Shushicë, po nuk pati projekte nuk ka punë, po nuk lëvizi pushteti qendror dhe lokal, nuk ka punë. Ne ju premtojmë se do të shtojmë në mënyrë të posaçme investimet në këtë zonë. Madje këtë rrugë që shkon deri në Gjinar do ta çojmë deri në Zavalinë dhe do të bashkojmë të gjithë Shpatin”, tha Imami.
Duke u ndalur tek investimet në rrugë Imami theksoi se, “rruga është ndryshimi”. “Qarku i Elbasanit duke përjashtur rrugën Elbasan – Tiranë ka qenë qarku më i privilegjuar përsa i përket investimeve, dhe e meriton”- theksoi ai.
Programi i PS, vijoi Imami, synon të shkatërrojë ekonominë e vendit. “Kemi bërë politika fiskale që ta mbrojmë prodhimin, jo si politikat që propozon Edi Rama, ne kemi sjellë rrugën, sepse po nuk erdhi rruga nuk ka zhvillim nuk ka ekonomi, kemi pasur një program të subvencionit që ka dhënë rezultate të shkëlqyera, dhe në katër vitet e ardhshme do të jenë mbi 100 fermerë këtu tek ju sepse do të trefishojmë programin e subvencioneve, tha Imami, duke shtuar se së fundmi qeveria ka hequr akcizën e naftës dhe TVSH për inputet bujqësore, duke ulur në këtë mënyrë kostot e prodhimit tuaj, kjo është mbështetja më e plotë më e mirë më e fuqishme që dikush mund ti japë bujqësisë. Jemi të sigurtë që ekonomia juaj do të fuqizohet, le të na akuzojnë se jemi Partia Agrare, për ne njerëzit janë njëlloj të barabartë”- deklaroi Imami.
Statusi i vendit kandidat në BE mbeti peng i kapricove politike të Edi Ramës. Kandidati i PD, Arben Imami i bëri thirrje qytetarëve që në 23 qershor t’i thonë “Jo” Edi Ramës, t’i thonë “Jo” politikës së tij të bllokimit. “Nuk mund të kuptoj se pse Edi Rama e shtyu katër vjet statusin e vendit drejt BE, bojkotoi parlamentin, bëri grevë urie doli në 21 janarin, pse e bëri Edi Rama këtë? Sepse mendoi që nëse Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat atëherë PD do të kishte avantazh në zgjedhje duke vënë në këtë mënyrë interesat e tij vetjake, interesat e partisë së tij mbi interesat e qytetarëve, të popullit tonë, duke hequr nga xhepat e shqiptarëve 300 milion euro”, tha Imami. “Më 23 qershor kemi shansin e madh t’i themi jo Edi Ramës, sepse siç kemi çarë së bashku murin e diktaturës komuniste, siç kemi marë liberalizimin e vizave, ashtu siç kemi çarë tunele do të çajmë edhe murin e bllokimit të Edi Ramës. Rama nuk kupton jetën e vështirë dhe punën e vështirë që ka një bujk, nuk kupton vështirësinë e një familje që jeton në zonë rurale po nuk pati shkollën, qendrën shëndetësore, rrugën, etj. Sali Berisha jo vetëm politikani, kryeministri i vendit por është edhe mjek që është mësuar t’i shërbejë njerëzve, aq më tepër që është rritur në një familje që ka pasur bazë bujqësinë. Ky nuk është një premtim, por një program një projekt që do ta çojmë sëbashku përpara”, përfundoi Imami.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›