E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-aleatët takohen në frymën e harmonisë

28/10/2009  Meta dhe Rama rrokin duart pas shumë kohësh në seminarin kushtuar bashkëjetesës fetare

Respekti fetar ndikon te krerët e partive që dikur qëndronin në të njëjtën llogore politike

Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ka habitur dje kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama duke i shtrirë dorën. Nuk bëhet fjalë për një kërkesë apo ndjesë publike për përplasjet dhe ndarjen e aleancës së fortë politike që të dy kishin shtrënguar deri pothuajse dy vjet më parë. Duke marrë shtysë nga fryma e bashkëjetesës që donte të përcillte seminari “Sfidat dhe zgjidhjet për bashkëjetesën ndërfetare në rajonin euromesdhetar”, organizuar nga fondacioni “Anna Lindh” dhe Forumi Shqiptar i Aleancës së Qytetërimeve, Meta i ka dhënë dorën ish-aleatit të tij. Menjëherë sapo u fut në sallën ku zhvillohej takimi, numri dy i qeverisë është takuar me përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe me disa personalitete që gjendeshin atje. Më pas ai i është drejtuar tavolinës së rezervuar të ftuarve të nderit, ku gjendej i zhytur në përgatitjen e fjalimit që do të mbante kryesocialisti Rama. Meta i shtriu dorën, Rama shkëputi vëmendjen nga puna dhe hodhi vështrimin për të parë se cili ishte ky person që donte të takohej me të. Me të parë fytyrën e ish-aleatit të tij Meta, ai për xhentilesë i dha dorën duke e shoqëruar me një gjysmëbuzëqeshje të sforcuar. Pas këtij takimi, i cili për pak minuta tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe të gjithë nisën të flisnin nën zë, Meta u ul në tavolinë. Organizatorët e këtij seminari kishin menduar që dy rivalët politikë të uleshin në dy skajet e tavolinës. Rama dhe Meta gjatë kësaj kohe janë shtirur sikur asgjë të mos kishte ndodhur dhe se gjithçka shkonte si mos më mirë. Ministri Meta me t’u ulur në tavolinë mori një shishe uji, ndoshta për të thënë se në atë çast nuk mendonte për gjë tjetër veçse për të shuar etjen. Dy ish-aleatët e ngushtë, të bashkuar rreth të njëjtit ideal, atë të marrjes bashkërisht të pushtetit, sa me seriozitet e sa me shaka kanë kaluar kohën.

Seminari, që u kushtohej sfidave të bashkëjetesës ndërfetare në rajonin euromesdhetar, të paktën ka shërbyer për të mjekuar disi plagët e politikës shqiptare. Shqipëria gjithnjë është veçuar si një ndër vendet ku komunitetet fetare bashkëjetojnë në harmoni dhe respekt të plotë dhe se nuk vihen re probleme ekzistenciale. Siç duket, kjo frymë ka ndikuar edhe te dy ish-aleatët, që muajt e fundit janë përfshirë në akuza e kundërakuza të mëdha e të rënda politike. Gjithnjë në festa fetare krerët e politikës shqiptare kanë përcjellë mesazhe për paqe dhe begati. Dje në seminarin kushtuar bashkëjetesës fetare Ilir Meta mori rolin e një samaritani të mirë dhe i dha dorën Edi Ramës. Kështu, mjaftoi mesazhi që kishte si qëllim të përcillte seminari mbi bashkëjetesën fetare që Meta e Rama t’i jepnin dorën njëri-tjetrit, edhe pse në mënyrë simbolike.

OSBE

Bosch: Iniciativë shumë e mirë

Kreu i OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosch, ka mirëpritur shtrëngimin e duarve mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Shtrëngimi i duarve mes Metës dhe Ramës tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Njëri prej atyre që e vlerësoi këtë gjest ka qenë edhe ambasadori Bosch, i cili theksoi se iniciativa e marrë nga ana e Metës ishte shumë e mirë. “Mendoj se kjo ishte një iniciativë shumë e mirë. Të flasësh me njëri-tjetrin është gjithnjë shumë mirë, veçanërisht në këtë rast, kur bëhet fjalë për dialogun ndërfetar. Por edhe për dialogun politik mund të ndiqet i njëjti shembull. Fakti që zoti Meta dhe zoti Rama u ulën në një tryezë, është një hap i parë shumë i rëndësishëm. Do të ishte akoma më mirë që të kishte të tjera tryeza të rrumbullakëta si kjo për të kapërcyer vështirësitë e situatës së krijuar”, - deklaroi kreu i prezencës së OSBE-së.

Edi Rama

“Të gjendur në pikëpërplasjen e dy botëve, shqiptarët e ndien të nevojshme që në radhë të parë të punojnë për të ruajtur vijimësinë e mbijetesën, kështu në këtë vend mori jetë e u ngulit bindja se ndryshimet dhe dallimet e çfarëdo forme qofshin ato më shumë se rrezik janë mundësi. Unë jam i mendimit se nisur nga një bindje e tillë ka marrë jetë edhe toleranca ndërfetare. Ne deshëm të integrohemi në Europë duke u konsideruar apriori pjesë e saj. Jo thjesht për të drejtën që të kemi mundësi të gjezdisim nëpër të, por ta ndiejmë veten tonë siç e kemi ndier gjithnjë, pavarësisht distancës, brenda saj. Mendoj se sot ne kemi çfarë t’i tregojmë Evropës.”

Topi: Dialog politik si ai fetar

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën e tij mbajtur në seminarin “Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut” përkrah harmonisë fetare, shtroi domosdoshmërinë edhe për dialog politik. “Unë gjithmonë e kam thënë këtë, jo të kundërtën. Edhe brenda fjalës sime, ndonëse konteksti ishte për çështjen e harmonisë fetare, u përdorën ligjërata edhe për nevojën e dialogut politik”, - tha Topi në përgjigje të interesit të medies mbi këtë çështje. Për shtrëngimin e duarve mes liderëve pjesëmarrës ai tha se “është një takim formal, i domosdoshëm, por çështja duhet të shkojë në substancë, dhe kjo është në konstitucionin shpirtëror të çdo njeriu”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›