E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Giffoni Shqipëria” mbërrin në Tiranë

27/10/2009  Pas një turi në qytetet kryesore, “Giffoni Shqipëria” mbërrin në Tiranë. Në një konferencë të djeshme për shtyp, mbajtur në hotel “Sheraton”, organizatorët kanë bërë një bilanc të këtij festivali në pesë vjet të zhvillimit të tij. Për tre ditë, “Giffoni Shqipëria” do të shfaqë në kinema “Millenium” filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, për kategoritë e moshave 12-25 vjeç dhe 15-19 vjeç. Çmimet do të ndahen mbrëmjen e 28 tetorit, ora 18:30 në një ceremoni të madhe në Teatrin e Operës dhe Baletit. Më poshtë keni fjalën e secilit prej të pranishmëve në konferencë. Po dje, organizatorët janë pritur në mesditë nga Kryeministri Berisha.

“Në këtë prezantim, na takon së pari të bëjmë një bilanc për këtë festival. E kemi thënë që afrimi me “Giffoni” në Itali daton që në 1984 kur Caludio Gubitosi ideatori dhe drejtori i “Giffoni Film Festival” erdhi për herë të parë në Shqipëri, u njoh me filmat e atëhershëm, pati dashamirësinë që t’i çonte ato në festivalin më të madh të formatit për fëmijë dhe të rinj ku dhe pati shumë çmime. Njëkohësisht rifillon një bashkëpunim në vitin 1994, i cili daton në 1997 ku mundësuam për herë të parë çuarjen e një ekipi fëmijësh shqiptarë në jurinë ndërkombëtare dhe mbërrijmë në vitin 2005 kur nisi iniciativa e festivalit “Giffoni Shqipëria”, edicioni i parë. Në këto 5 vjet bilanci është pozitiv, kemi prekur qytetet kryesore të Shqipërisë, kemi përfshirë në këtë magji të madhe të ekranit rreth 35 mijë fëmijë të dy grupmoshave, të shkollave nëntëvjeçare dhe të gjimnazeve në të gjithë Republikën, kemi mundësuar që të çojnë rreth 220 e ca fëmijë në edicionin e Giffonit mëmë në Itali dhe 15 fëmijë kanë pasur mundësi të ndjekin këtë edicion në Hollivud, në perandorinë e kinemasë botërore”, tha Namik Ajazi, president i “Giffoni Shqipëria”. Për të kinemaja është ajo që na mungon, jo vetëm si hapësirë, por publiku shqiptar e ka harruar paksa. “Televizioni ka përfshirë gjithkënd dhe shikueshmëria e filmave ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Kemi mundësinë që përmes këtij formati, unik në botë që zhvillohet prej 5 vitesh në Shqipëri, të krijojmë mundësinë për ta bërë tonën këtë magji të artit të madh të kinemasë”, nënvizoi Ajazi.

Ndërkohë Claudio Gubitosi, drejtori artistik i “Giffoni Film Festival” në Itali tha se prej shumë vitesh, Giffoni, ndjek dhe është i pranishëm në Shqipëri me një sërë aktivitetesh, më intensivisht këto 5 vitet e fundit, por edhe më parë janë mirëorganizuar dhe sidomos të bëra me zemër nga Namik Ajazi. “Këtë vit në Itali kemi bërë edicionin më intensiv, 14 ditë, u shndërrua në festivalin më të gjatë që ndodh në botë. Patëm 140 mijë të pranishëm dhe nuk numërohen konferencat e shtypit dhe pasqyrimi në televizionet më të rëndësishme, emrat më të njohur të kinemasë dhe të kulturës, të institucioneve dhe dua të them se 2800 pjesëtarë të jurisë nga 41 shtete udhëtimin e parë të tyre evropian e kanë pasur drejt vendit tim, Giffonit, provincës time Salerno”, tha ai. Ndërsa nënvizon se Italia është lidership në botë për këtë sektor që njihet në çdo anë të botës. “Ne do të festojmë 40-vjetorin, mund të duken shumë, por ideja jonë është gjithnjë e freskët. Ne e nisim gjithnjë nga numri 1 dhe kjo është gjëja më interesante e këtij aktiviteti. Çdo vit më duhet t’u them jo mijëra fëmijëve që duan të marrin pjesë në jurinë e këtij festivali. Nuk ka gjë më të bukur se një mikpritje e familjeve ku shkojnë këta fëmijë, që i duan, dhe bëhen pjesë e familjes. Kanë njohur eksperienca të tjera, fëmijë të tjerë, kultura të tjera dhe është krijuar kjo faltore kulturore ku ka respekt për zakonet, kostumet, integrimin, respekt fetar dhe respekt për gjithçka. Dhe kjo është fytyra tjetër e Giffonit që nuk është vetëm spektakël, jo vetëm kinema, jo vetëm një harmoni, por ka edhe një pjesë sociale që shkon përtej gjithçkaje”, tha Gubitosi.

Ndërkohë Carlo Andria, president i Festivalit, nënvizoi se ky takim është një mundësi e mirë për të përshëndetur të rinjtë që janë bërë pjesë e këtij festivali. “Kur të kthehem në Giffoni dua të tregoj për këtë gjënë tjetër të bukur që Claudio dhe Namik bëjnë këtu. Diku në një faqe të katalogut lexova se ky është një takim mes të rinjve, që kanë shumë të përbashkëta, shumë për të ndarë e për të zbuluar nga njëri-tjetri. Në këtë botë të luftërave, të këqijave, të dhunës, të imagjinosh që mund të gjesh të rinj që të ulur para ekranit të madh, pasi kanë parë një film flasin dhe gjejnë të përbashkëta në interesa personale, por edhe të kombeve që përfaqësojnë na bën të shpresojmë. Dje pashë lajmet që lajmëronin për 30 të vdekur dhe 100 të plagosur. Mes tyre mund të ketë pasur edhe të rinj që në vend të dhunës mund të kenë këtë mundësi për të komunikuar e t’u thonë të rriturve që po gaboni”, tha andria.

Në prezantim ka marrë psesë dhe Saba D’Elia, ambasadori italian në Tiranë, i cili theksoi se “Do të doja t’i ftoja gjeneratat e reja shqiptare që të marrin pjesë interaktive në këtë moment të rëndësishëm kulturor, që është një komunikim mes gjeneratave të reja që përfaqësojnë të ardhmen e popullit shqiptar. Të mos harrojmë se në Shqipëri ka një popull të ri dhe të rinjtë përfaqësojnë një pjesë të mirë të kombit dhe në këtë kuptim kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme. Organizatorët duhet të vazhdojnë këtë dialog mes Italisë dhe Shqipërisë, mes Rajonit, Ballkanit dhe Botës. Ambasada italiane është e nderuar që mbështet këtë festival të ideuar nga Claudio Gubitosi, i cili 25 vjet më parë kthen vëmendjen ndaj kinematografisë shqiptare, duke i dedikuar një sesion të posaçëm. Giffoni ka ndihmuar në mënyrë simbolike në bashkëveprimet e kulturës kinematografike mes të rinjve, që siç thashë edhe më parë janë protagonistët e vërtetë të këtij manifestimi”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›