E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-bosi i fondacionit Populli, shtetas i tri republikave

Ministria e Drejtësisë nis procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë, ku duhet të vuajë dënimin prej 16 vitesh burg për veprën penale të mashtrimit në bashkëpunim

As dy pasaportat ndërkombëtare e as emrat e rremë që mbante prej 11 vitesh nuk i kanë shmangur momentin e ftohtësisë së prangave. Edhe pse Interpol Tirana mësohet të ketë gjurmuar prej shumë kohësh ish-bosin e fondacionit “Populli”, 50-vjeçarin Bashkim Driza, prangosja e tij u mundësua vetëm dje. I dënuari me 16 vjet burg për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim” është vënë në pranga në Uruguai. Shkak për arrestimin e tij u bë statusi që gëzonte prej kohësh, ai i të kërkuarit ndërkombëtar, shpallur nga zyra qendrore e Interpol Tiranës. Ndaj Drizës, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës më 18 qershor të viti 2002 e pati shpallur fajtor për mashtrimin e 304 240 shqiptarëve, duke vjedhur në total shumën e 870 milionë lekëve të reja. Sipas këtij vendimi, thuhet se Driza, lindur në Fier, gjatë viteve 1996-1997, në bashkëpunim me persona të tjerë ka krijuar  fondacionin “Populli”, nëpërmjet të cilit mashtroi dhe vodhi shuma të mëdha parash.

Arrestimi

Burime të besueshme pranë Interpol Tiranës bënë të ditur se shpallja e Drizës në kërkim ndërkombëtar ishte bërë menjëherë pas dhënies së vendimit të formës së prerë ndaj tij. Ndërkohë që edhe gjurmimi i tij ishte bërë i mundur prej shumë kohësh, por duke qenë se ish-bosi ishte i pajisur me dy pasaporta, ishte shumë i vështirë lokalizimi i tij. Ndërsa sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, thuhet se

“pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bashkim Drizës, është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon - Kili, Interpol Montevideon -Uruguai dhe Interpol Santo Domingon - Republika Dominikane, pasi Driza njihej nga ana e tyre, sepse ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe dominikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Dominikane dhe anasjelltas”. Gjithashtu, duke iu referuar këtij njoftimi bëhet e ditur se, që nga momenti i arrestimit në Montevideo, 50-vjeçari mbahet në arrest shtëpie, në pritje për procedurat diplomatike nga ana e palës shqiptare.

Ekstradimi

Arrestimi i Drizës hap rrugën për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku duhet të vuajë dënimin prej 16 vitesh. Burime zyrtare të drejtësisë bënë të ditur se nëpërmjet një mesazhi të ditës së djeshme të ardhur po në rrugë zyrtare, strukturat e Interpol Montevideos kanë njoftuar vënien në pranga të tij. Me të marrë njoftimin, zyra qendrore e Interpol Tiranës ka vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë, për të bërë të mundur dërgimin e dokumentacionit në rrugë diplomatike pranë autoriteteve uruguaiane, për ndjekjen në vazhdimësi të procedurave për ekstradimin e ish-bosit të piramidës “Populli”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›