E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal me cilësinë e naftës

Tregtarët e shumicës bëjnë thirrje për një anomali në treg, e cila vjen si pasojë e ekzistencës së disa minifabrikave fantazmë, të cilat përpunojnë naftë vendi

Cilësia e dobët e karburanteve në treg vjen si pasojë e ekzistencës së disa fabrikave të përpunimit, të shpërndara në mbarë vendin, të cilat përdorin si lëndë bazë naftën e nxjerrë nga puset tona. Ky është shqetësimi që ngrenë grosistët shqiptarë të karburanteve, të cilët theksojnë më tej, se ky faktor sjell edhe konkurrencë të pandershme në treg, pasi kostoja e prodhimit në vend është shumë më e lirë krahasuar me naftën që vjen nga importi. “Shpeshherë konsumatorët shqetësohen lidhur me cilësinë e karburanteve dhe jo pa të drejtë. Në shumë pika shitjeje nafte me pakicë tregtohet naftë e përpunuar në vend, e cila është shumë më poshtë krahasuar me cilësinë e importit”, - pohon për gazetën një nga grosistët më të vjetër të karburanteve në Shqipëri, që preferon të mbetet anonim mbi këtë skandal, për të cilin, sipas tij, edhe shteti është në dijeni. Të njëjtin fenomen e vë në dukje edhe Ibrahim Aktoz, drejtor i kompanisë së karburanteve “Alpet”. “Vetëm në Elbasan ekzistojnë dy fabrika që përpunojnë naftë dhe përpunimi është i vazhdueshëm, çka tregon se kjo naftë shitet në tregun tonë të pakicës”, pohon Aktoz. Importuesit e karburanteve pohojnë se nafta e vendit është e vetmja jashtë standardeve, pasi ajo e importuar, sado e keqe qoftë, i plotëson normat ndërkombëtare të cilësisë, sepse u nënshtrohet kontrolleve doganore, si dhe atyre të ISHKNG-së. Më tej, grosistët shtojnë se “shteti dhe institucionet përkatëse të cilësisë duhet të jenë më të ashpër në kuadër të mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut, duke rritur presionin mbi tregtarët abuzues”.

Tollonat, cilësi e keqe

Sipas grosistëve, shitja e karburanteve me tollona për afat deri në njëvjeçar, është rast i pastër abuzimi, pasi kjo lidhjet me mospërputhjen e çmimit të blerjes fillestare në krahasim me luhatshmërinë e bursave ndërkombëtare. “Le të supozojmë se sot kompania jonë do t’i shesë një institucioni shtetëror 1 mijë litra naftë në formën e tollonave, me të drejtë lëvrimi gjashtëmujor ose njëvjeçar. Në rast se pas një muaji çmimi i naftës në bursa do të rritet me 40 për qind, si do ta kompensojë kompania humbjen? Pikërisht këtu fillon abuzimi me cilësinë, pasi do të jepet me të njëjtin çmim naftë me cilësi më të keqe se ajo e prodhuar në vend, dhe është ky faktori pse ne nuk marrim pjesë në tenderime”, pohon Aktoz. Por në fakt, duke shtjelluar analizën e bërë nga drejtori i një prej kompanive më të mëdha të importit të karburanteve në vendin tonë, del në pah fakti se pre e cilësisë së keqe nuk bien vetëm institucionet shtetërore që kanë blerë tollona nafte, por edhe konsumatorët, pasi për “parablerësit” nuk ka një vend të veçantë për t’u furnizuar me karburant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›