E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-diplomati padit Ministrinë e Jashtme



Tiranë - Eduard Sulo, ish- diplomati shqiptar ka vendosur të padisë Ministrinë e Jashtme. Padia civile është depozituar vetëm pak ditë më parë nga avokati i Sulos. Ky i fundit deri para pak muajsh mbante detyrën e ish-ambasadorit shqiptar në Hungari. Ndaj Sulos kreu i Ministrisë së Jashtme jo vetëm kërkoi largimin e tij por nuk nguroi të dorëzonte në Prokurori edhe një Kallëzim penal ndaj tij për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet shtetërore. Akuza këto që nuk u pranuan nga ish-diplomati. Tani më, Sulos i ka mbetur vetëm beteja ligjore për të vërtetuar pretendimet e tija.

Gjykata la dje në qeli të arrestuarit për klonimin e kartave

Tiranë - Gjykata e Tiranës la dje në qeli deri në përfundim të hetimeve pjesëtarët e grupit që mashtronte me kartat e televizioneve dixhitale. Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, caktoi masat e sigurisë së “arrestit me burg” ndaj 16 të arrestuarve të pak ditëve më parë të operacionit policor të koduar “Moden”. Këta persona, pjesa më e madhe me moshë të re, akuzohen për klonimin e kartave të televizioneve dixhitale dhe tregtimin e tyre për qëllime përfitimi. Gjatë operacionit policor për arrestimin e tyre, i organizuar nga policia dhe Prokuroria e Tiranës, të pandehurve u bllokuan shumë karta televizive të platformave që transmetojnë programe me pagesë, artistike dhe sportive si dhe kompjutera të markave të ndryshme, aparate dixhitale apo materiale të tjera që shërbenin për realizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Hetimet ndaj këtij grupi nisën pas informacioneve të siguruara nga organet e rendit për tregtimin e aparateve dixhitale të riprogramuara dhe të klonuara.

Donin të kalonin ilegalisht kufirin për në Greqi, ndalohen 9 persona

Shkup - Policia kufitare e Maqedonisë njoftoi në mediat e shtetit fqinjë se ka ndaluar nëntë shtetas shqiptarë gjatë tentativës së tyre për të kaluar ilegalisht kufirin me Greqinë. Në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme theksohet se përveç shtetasve shqiptarë është arrestuar edhe një shtetas i Maqedonisë, i cili ishte përfshirë në rrjetin organizues për kalimin e shtetasve të huaj në mënyrë ilegale në territorin grek, në zonën në afërsi të vendkalimit kufitar Bogorodicë. Ndaj personave të arrestuar, policia theksoi se do të ndërmarrë masat ligjore, duke përfshirë masën e paraburgimit dhe masën e ndalesës për të hyrë në Maqedoni.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›