Shkolla e Policisë, shpallen fituesit e testimit me shkrim për Tiranën, Durrësin dhe Dibrën
Tiranë – Nga 364 aplikantë nga qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, vetëm 143 prej tyre do t’i nënshtrohen testit fizik. Konkurimi me shkrim u zhvillua dje në ambientet e Qendrës së Formimit Policor.
Testimi
Këtij testimi ju nënshtruan 364 aplikantë të cilët u ndanë në dy grupe. Grupi i parë iu nënshtrua testimit në orën 07:00 dhe grupi i dytë në orën 11:00. Në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 143 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. 143 kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues nga grupi i parë i konkurrimit (nga numri rendor 1-72 në listë) do t’i nënshtrohen testimit fizik me datën 22.04.2009, në orën 08:00 në Qendrën e Formimit Policor. Ndërkohë aplikantët që rezultuan fitues nga grupi i dytë i konkurrimit (nga numri rendor 1-71 në listë) do t’i nënshtrohen testimit fizik me datën 23.04.2009, në orën 08:00 në Qendrën e Formimit Policor.
Rrethet
Për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit Kristal Fier në datën 29.04.2009. Testimi me shkrim do të zhvillohet i ndarë në dy grupe. Në orën 07:00 do të paraqiten për t?iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga Qarqet Fier dhe Vlorë, ndërsa në orën 11:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga Qarqet Berat dhe Gjirokastër. Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër në datën 09.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Për qarqet Elbasan dhe Korçë testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në datën 18.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti.
21 Prill 2009