KLSH zbulon abuzimet me shitjen e trojeve
Fabiola Çela
Zbulohen aferat me dhënien e lejeve të ndërtimit, me shit-jen e trojeve publike në bashkinë e Kamzës, Peshkopisë dhe Shëngjinit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar dhe një sërë shkeljesh të tjera në këto dy bashki dhe në komunën e Shëngjinit, shkelje të cilat i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Periudha e kontrollit të KLSH-së ka përfshirë vitet 2005-2008 dhe për probleme të veçanta është shtrirë dhe në periudha kohore të mëparshme.
Raporti
Në bashkinë Kamëz, në kundërshtim me ligjin janë miratuar subvencione për një subjekt privat në shumën 57.9 milionë lekë, duke cenuar rëndë buxhetin e bashkisë. Sipas KLSH-së, kryetari i kësaj bashkie ka dhënë në mënyrë të merituar shpërblime si vetes, ashtu edhe disa prej punonjësve. Abuzime janë kryer edhe me tenderat e zhvilluar gjatë vitit 2007. Konkretisht në tenderin për ndërtim ujësjellësi në Bathore me një dëm të shkaktuar prej 14 milionë lekë. Shkelje nga kontrolli i KLSH janë konstatuar dhe në fushën e urbanistikës në bashkinë Kamëz. Ekspertët e KLSH-së kanë konstatuar se gjatë vitit 2007, kryetari i kësaj bashkie në cilësinë e kryetarit të KRRT-së ka lejuar dhënien e lejeve të ndërtimit në tokë bujqësore pa raport teknik dhe një gjë e tillë është përsëritur në pesë raste. Ndërsa në dy raste kryetari i kësaj bashkie ka lejuar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe shesheve të ndërtimit pa dokumentin e studimit gjeologjiko-inxhinier të sheshit të ndërtimit. Por shkeljet me lejet e ndërtimit të kryera nga kryetrari i bashkisë së Kamzës nuk përfundojnë me kaq. Në 11 raste janë miratuar leje ndërtimi pa u miratuar më parë studimi urbanistik pjesor. Por çudia më e madhe ka ndodhur që një person juridik i licencuar për tregtim artikujsh, ka marrë leje ndërtimi pranë kësaj bashkie. Në një situatë të tillë, KLSH-ja ka përgatitur kallëzim penal për kryetarin e kësaj bashkie, Xhelal Mziu, si dhe për tre zyrtarë të këtij institucioni. Abuzime me dëme të konsiderueshme ka patur edhe në bashkinë e Peshkopisë, ku janë dhënë leje ndërtimi për 63 raste pa dokumentacionin e pronësisë dhe pa vendim të këshillit bashkiak për tjetërsimin e pronës shtetërore dhe, për pasojë nuk është paguar vlera e tokës nga sipërmarrësit. Dëmi arrin në 32.3 milionë lekë. KLSH ka përgatitur ndjekje penale për kryetarin e bashkisë Ilvir Krosi. Abuzime me trojet dhe me lejet e ndërtimit janë konstatuar edhe në komunën e Shëngjinit. KLSH-ja ka konstatuar se në 10 raste është zbardhur dhe dorëzuar leje e ndërtimit pa bërë më parë llogaritjen dhe vlerën e plotë të detyrimit. Dëmi arrin në 23.9 milionë lekë. Edhe për ish-kryetarin e kësaj komune dhe ish-përgjegjësin e urbanistikës së kësaj komune, është përgatitur kallëzim penal.
Dëmet
Bashkia Kamzës
• 57.974.000 lekë nga subvencionet
• 6.686.830 lekë nga shpërblimet
• 14.037.923 lekë nga tenderët
Bashkia Peshkopi
• 32.365.000 lekë nga tjetërsimi i 6.473 m2 tokë
• 16.989.584 lekë është rritur vlera e fondit limit për asfaltimtin e sheshit Bajram Curri-Llixha Peshkopi
• 15.635.840 lekë nga përdorimi pa qira të investuarit konik dhe pajisjeve
Komuna Shëngjin
• 23.946.465 lekë nga zbardhja dhe dorëzimi i formularit 4 (leja e ndërtimit) pa bërë më parë përllogaritjen dhe pagesën e detyrimit
• 2.873.280 lekë nga mosllogaritja e gjobës për ndërtim të kundraligjshëm