E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS akuzon Topin për Kodin

 

BLEDAR HOTI

Socialistët dalin kun-dër presidentit Bamir Topi dhe dekretit të tij për kthimin e ligjit zgjedhor. Për herë të parë socialistët kanë dalë kundër kreut të shtetit, duke e akuzuar atë për bllokim të procesit zgjedhor. Akuza është lëshuar nga ana e bashkëkryetarit socialist të komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj. Qëndrimi i tij u mbajt pas mbledhjes që ky komision pati ditën djeshme. Sipas tij, dekreti i Topit ka futur në ngërç procesin e ri zgjedhor, duke vënë në rrezik kohën e ngritjes nga e para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. "Dekreti i Presidentit nuk është gjë tjetër, veçse një pretekst, pasi duke shfrytëzuar të drejtën e vetos për ta kthyer ligjin, ai solli sot një pasojë shumë të madhe. Sot ne kemi një situatë tjetër. Nuk mund të themi më se Kodi Zgjedhor është në kohën optimale për procesin elektoral. Përkundrazi, në këtë aspekt, dekreti i Presidentit për kthimin e Kodit Zgjedhor ka luajtur një rol negativ, pasi ka futur të gjithë procesin në ngërç dhe ka krijuar mjaft probleme", tha Xhafaj. Bashkëkryetari socialist më pas ka bërë të ditur, se pas miratimit të këtyre ndryshimeve që kërkohen nga Presidenti, vendimi për ngritjen e KQZ-së mund të merret vetëm në sesionin e ardhshëm parlamentar, i cili sipas Kushtetutës, mblidhet javën e tretë të muajit janar. "Nga dekreti kemi kalimin e thirrjes së KQZ në sesionin tjetër. Krijohen probleme me nxjerrjen e vendimeve të KQZ-së, të akteve ligjore dhe nënligjore, kartat e identitetit dhe listat e zgjedhësve vënë në pikëpyetje integritetin e procesit. Unë shpresoj që maxhoranca ta reflektojë seriozisht këtë çështje", theksoi Xhafaj. Në bazë të Kodit Zgjedhor, të kthyer nga Presidenti KQZ-ja e re duhet të nxjerrë udhëzimet përkatëse minimalisht gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Ndërsa e ka cilësuar si të gabuar argumentimin, që ka dhënë zyra juridike e Presidencës në dekretin e kthyer. "Unë e kam lexuar me vëmendje dekretin dhe argumentimi i dhënë është i gabuar, sepse është marrë për bazë data e zgjedhjeve në qershor dhe nuk është mbarimi i mandatit të Parlamentit. Këto janë dy gjëra, që teknikisht do ishin referuar mirë juristët, që kanë bërë një kthim të tillë", deklaroi Xhafaj. Kur Presidenti Topi ktheu ligjin  "Kodin Zgjedhor" në Kuvend, socialistët u shprehën të rezervuar fillimisht në qëndrimin e tyre për këtë akt. Ndërsa sulmi i parë ndaj kreut të shtetit erdhi brenda maxhorancës nga kryeparlamentarja Topalli. Kuvendi mori vendim në orët e para të ditës së djeshme për të ngritur komisionin e posaçëm Zgjedhor. Po dje komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore u mblodh në orën 12.00 për të diskutuar mbi rrugët e shqyrtimit të dekretit të kreut të shtetit. Sipas burimeve mësohet se dy ekspertët e PD-së dhe të PS-së, Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri. Ata pritet të japin mendime për çështjen e dekretit dhe për rrugët, që do të ndiqen për dekretin. PS dhe PD në komision e posaçëm janë shprehur për të shqyrtuar vetëm ato pika, që ka ngritur Presidenti i vendit, duke i mbyllur rrugët për kërkesat e LSI-së për rishikimin e neneve të tjera. Komisioni i posaçëm mbi bazën e vendimit të Kuvendit nuk ka një afat të përcaktuar për punën e tij.

Amendamentet e LSI për Kodin Zgjedhor

Zgjedhja e anëtarëve të KQZ
1. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ sipas kësaj procedure
a) Tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare.
b) Kandidaturat e propozuara i paraqiten Kuvendit për miratim.
2. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ sipas këtij neni zhvillohet në një ditë të vetme
3. Renditja e partive sipas përcaktimeve të këtij neni, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve, që ka fituar partia politike në zgjedhjet pararendëse për Kuvend.

Neni 29
Përbërja e KZAZ-së
 Në pikën 1, fjalia e parë e germës "a" të ndryshojë si më poshtë:
1. KZAZ përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ sipas procedurës së mëposhtme:
a) tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare...
Kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të KZAZ-ve të respektohet dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KQV-ve dhe GNV, duke respektuar ndryshimet në nenet 36 dhe 95/2 të këtij Kodi.

Braho: KQZ, me anëtarët e gjashtë partive politike

Lëvizja Socialiste për Integrim depoziton në komisionin e posaçëm të Reformës tre amendamentet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Anëtar i këtij komisioni, deputeti i LSI-së, Spartak Braho në mbledhjen e zhvilluar paraqiti amendamentet, që kanë të bëjnë me rishikimin e përbërjes së komisioneve zgjedhore të së gjitha niveleve. "Sipas vendimit që mori Kuvendi për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore, LSI, duke shfrytëzuar shqyrtimin e dekretit të Presidentit për ligjin zgjedhor, paraqiti dy amendamente, të cilat konsistojnë në pjesëmarrjen e LSI në komisionet zgjedhore, sipas formulës: një përfaqësues PS, një PSD, një LSI, pra krahu i majtë. Njëkohësisht, propozuam edhe unifikimin e formulës së ndarjes së mandateve", deklaroi Braho. LSI kërkon që një anëtar i KQZ-së, KZAZ-ve t'i përkasë forcës së saj politike. Gjithashtu, propozohet që të realizohet një formulë e posaçme për llogaritjen e votave. "Numri i votave të vlefshme të secilës parti, pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror, që i korrespondon dyfishin të numrit të mandateve, që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt", thuhet në amendamentin e LSI-së. Ndërsa për formulën e KQZ-së, LSI propozon skemën, që "tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare". Kjo duke bërë që në KQZ të përfaqësohen PS, LSI dhe PSD nga ana e opozitës. Mbi bazën e kësaj skeme i bie që në KQZ të jenë të përfaqësuar gjashtë parti parlamentare: PD, PR, PDK, PS, LSI dhe PSD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›