Shqipëria nis provimin për vizat, mbërrin në Tiranë grupi i ekspertëve
Nga Brukseli kanë mbërritur në Tiranë ekspertët europianë që do të vëzhgojnë në terren përmbushjen e tri kritereve për heqjen e vizave. Bazuar në rekomandimet e BE-së, ekspertët do të vlerësojnë nëse janë rritur kapacitetet për zbatimin e ligjit për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për sekuestrimin e pasurive kriminale.
Pas terrenit, informacioni do t’u kalojë zyrtarëve të BE-së që do të përpilojnë në shtator një raport nëse Shqipëria dhe Bosnja i plotësojnë kushtet për të fituar liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, eurodeputetja Tanja Fajon do të prezantojë një projektrezolutë, votimi i së cilës do të kërkohet që të mos shtyhet. Nëse ekspertët do të japin një vlerësim pozitiv, vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare.
13 Korrik 2010